Shqipëria

Spanja dhe Shqipëria ngrenë një ekip hetimor të përbashkët kundër krimit


Autoritetet shqiptare dhe spanjolle kanë nënshkruar një marrëveshje dypalëshe të hënën e 1 gushtit në ambientet e Kryeministrisë.

Kjo, për krijimin e një ekipi të përbashkët hetimor në fushën e luftës kundër krimit.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi dhe ambasadori spanjoll në Tiranë, Alvaro Renedo Zalba ishin nënshkruesit e këtij dakordësimi institucional.

Në praninë e tyre ishin dhe kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij spanjoll Pedro Sanchez.

Të dy udhëheqësit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp e parashikuar në orën 11:00.

Sanchez, të premten nisi një turne në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Serbi.

Nga aty ai ofroi mbështetjen e vendit të tij për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

Sanchez zhvilloi bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Zyrtarët e BE-së kohët e fundit janë përpjekur të inkurajojnë qeveritë në rajon që të vazhdojnë me reformat. Kjo mes shqetësimeve mbi përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj në Ballkan.

Zyra e kryeministrit spanjoll tha se do të inkurajojë të gjitha vendet e Ballkanit që të zbatojnë reformat e nevojshme që do t’i lejojnë ata të përshpejtojnë anëtarësimin e tyre në BE.

Po ashtu do t’u përcjellë atyre faktin se mund të mbështeten te Madridi zyrtar gjatë presidencës spanjolle të Bashkimit në gjysmën e dytë të 2023-shit.

Kryeministri synon gjithashtu të tregojë rëndësinë që Spanja i kushton marrëdhënieve dypalëshe politike, ekonomike dhe kulturore me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen për përpjekjet që ata ndërmarrin për të qenë pjesë e bllokut.

Mbështetje që u përcoll tashmë në një samit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur muajin e kaluar në Bruksel përpara takimit të Këshillit Evropian.

Sanchez u zotua të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe t’i japë statusin e kandidatit Bosnjë-Hercegovinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore