Shqipëria

SPAK dorëzon në GJKKO kërkesën për arrestimin e Ahmetajt


Prokuroria e Posaçme SPAK ka depozituar zyrtarisht pranë Gjykatës së Posaçme GJKKo, kërkesën për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, i cili gjenden nën akuzë për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.

Më parë, ishte Kuvendi i Shqipërisë që me 117 vota pro e miratoi heqjen e imunitetit të deputetit Arben Ahmetaj, duke i hapur rrugë arrestimit të tij dhe ky vendim, mbërriti në SPAK pasditen e 14 korrikut.

Pa humbur kohë, Prokuroria, e ka kërkuar arrestimin e Ahmetajt.

Fjala i kalon tashmë Policisë së Shtetit të arrestojë ish-zëvendëskryeministrin, në mënyrë që ai të vijojë përballjen me tre akuzat e ngritura ndaj tij, ku përfshihet korrupsioni pasiv, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë.

Nëse brenda këtij kufizimi, Ahmetaj nuk gjendet në Shqipëri, lajmërohet Prokuroria e Posaçme.

Kështu me këtë miratim Kuvendi i ka hapur rrugën Prokurorisë që të arrestojë Ahmetajn, por edhe të nisë shqyrtimin në banesën e tij.

Mbi ish-zëvendëskryeministrin e vendit rëndojnë tre akuza: korrupsion pasiv, fshehje e pasurisë dhe shpërdorim detyre.

Për këtë çështje dy partitë më të mëdha të vendit dolën me dy raporte.

Partia Socialiste dhe ajo Demokratike nëpërmjet përfaqësuesve të tyre prezantuan raportet, të cilat edhe pse ndryshe kishin një finalizim: heqja e imunitetit për Ahmetajn.

Të parët ishin demokratët që nisën raportimin e tyre nëpërmjet kreut të Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.

Teksa kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në nisje të seancës, ai u largua pas marrjes së fjalës nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Si Bardhi dhe Berisha kërkuan që Rama të ishte i pranishëm dhe madje i kërkuan llogari atij për vendndodhjen e Ahmetajt dhe mungesën e tij në seancën parlamentare.

Bardhi më pas iu drejtua edhe kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, të cilës i bërit të njëjtën pyetje.

Nikolla u shpreh se nuk e di vendndodhjen e Ahmetajt, por se ai është njoftuar në mënyrë zyrtare për seancën.

Ajo më tej u shpreh se pjesëmarrja e ish-ministrit sipas rregullores së Kuvendit është me dëshirë dhe jo me detyrim.

Në raportimin e tij Bardhi u shpreh se janë 17 vendime që sipas tij janë kaluar brenda ditës në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

“Truri financiar krijoi një skemë për të përfituar një mënyrë të parregullt 430 milionë euro. Me ndihëm e Edi Ramës dhe Ahmetajt me përfshirjen e një numri të konsiderueshëm të ministrave të Ramës, këta dy zotërinj fillojnë të marrin paratë tona për të ndërtuar inceneratorin për djegien e mbetjeve, që sot pas 7 vitesh janë jashtë funksionit”.

Sekretari i Përgjithshëm u shpreh se PD-ja e ka denoncuar këtë aferë duke nisur nga viti 2018, “po kryeministri, ministrat, deputetë e PS-së jo vetëm nuk na dëgjuan por filluan të na sulmonin, tallnin, të na intimdonin”.

Nga ana tjetër raporti socialist u prezantua nga deputeti Arben Pëllumbi.

Ai u shpreh se demokratët mbajtën qëndrim politik dhe se përmendën emrin e kryeministrit Rama ndonëse emri i tij nuk përmendet në dosje.

“Bardhi s’bëri asgjë tjetër, veçse mbajti qëndrim politik. Nuk jemi as gjykatë as prokurorë për të dhënë vendime”.

Ai tha se këtu nuk janë për të dhënë verdikte politike.

Arben Ahmetaj ka një mesazh për të gjithë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore