Lajme

SpaceX/ Ulje jo e suksesshme për Starship SN11


Një raketë e modelit Starship, e lëshuar nga SpaceX, nuk ka arritur të ulet në mënyrë të sigurt pas një testi të kryer në Texas.

Modeli SN11, pa pilotë në bord, nuk arriti t’i mbijetonte uljes. Fluturimi testues nga baza e Boca Chica në Texas, dështoi. Inxhinierët e kompanisë amerikane po analizojnë shkaqet.

“Duket se kemi humbur të gjitha të dhënat nga fluturimi”, deklaroi John Insprucker, inxhinier i SpaceX. “Do të zbulojmë nga vëzhgimet e ekipit se çfarë ndodhi”.

Pamja në transmetimin direkt është e kompromentuar për shkak të mjegullës. Ajo e bëri të pamundur dukjen e mjetit gjatë uljes.

Starship është e projektuar për të mbajtur jo vetëm njerëz në bord, por edhe një ngarkesë prej 100 tonësh. Mendohet se anija kozmike do të përdoret për misionet në Hënë dhe Mars.

Dy prototipet pararendëse, SN8 dhe SN9, shpërthyen gjatë uljes.

Sipas shefit të kompanisë, Elon Musk, problemet mund t’i shkaktuar fuqia e motorit të dytë. “Ai ndoshta nuk ka arritur fuqinë optimale gjatë uljes dhe kjo mund të ketë shkaktuar problemin. Teorikisht, presioni në dhomën operative nuk nevojitej, por do ta shohim më në thellësi problemin”.

Pas misionit të suksesshëm Crew Dragon 2, i cili çoi në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor katër astronautë, SPaceX i ka idetë e qarta mbi të ardhmen.

Misionet kryesore ku do të përqendrohet, janë ulja në hënë dhe Mars. Vizioni i Musk-ut është ai i krijimit të kolonive njerëzore në atmosferën marsiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore