Pajisje

SpaceX/ Kuarteti nis xhiron turistike në hapësirë


Katër astronautë amatorë janë larguar nga Florida në misionin e tyre privat në orbitë mbrëmjen e së mërkurës së 15 shtatorit.

Ekuipazhi i Inspiration4, i përbërë nga një miliarder dhe tre “qytetarë të zakonshëm”, doli nga Qendra Hapësinore Kennedy me një kapsulë Dragon të siguruar nga kompania e raketave, SpaceX.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se kuarteti do të kalojë tre ditët e ardhshme duke bërë xhiro rreth Tokës.

Ky shënon një tjetër moment historik në tregun e turizmit hapësinor, i cili po përjeton një ringjallje pas një pauze një dekadëshe.

Në fillim të kësaj vere, biznesmenët miliarderë, Richard Branson dhe Jeff Bezos, shkuan mbi atmosferën e Tokës me mjetet e tyre hapësinore.

Fill pas këtij misioni, do të ketë dy vizita private në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (ISS). Një prej tyre në tetor, me një regjisor filmi rus dhe një aktore dhe një i dytë në fillim të vitit të ri.

Ekuipazhi i Inspiration4, Jared Issacman, Hayley Arceneaux, Sian Proctor dhe Chris Sembroski, kanë pasur gjashtë muaj trajnim intensiv me SpaceX-in.

Megjithatë, sistemet kompjuterike në bord do të jenë në kontroll të kapsulës së tyre Dragon, të mbikëqyrur nga ekipet në terren.

Dragon-i nuk po shkon askund pranë ISS-së.

Është në një “fluturim falas” në një lartësi të synuar prej 575 kilometrash. Kjo është rreth 150 kilometra mbi laboratorin orbital dhe afërsisht në lartësinë nga ku teleskopi hapësinor Hubble shikon kozmosin.

Të katërt, kanë ndërmarrë eksperimente shkencore që do të kryhen brenda kapsulës së tyre Dragon. Ndërkohë, SpaceX ka modifikuar shtëpinë e tyre të përkohshme për të përfshirë një dritare të madhe, të cilën ekuipazhi është i sigurt se do ta përdorë gjatë kohës së ndërprerjes.

Inspiration4 u ble nga SpaceX nga Isaacman, 38 vjeç, i cili bëri pasurinë e tij duke zhvilluar sisteme për të përpunuar pagesat me kartë krediti. Ai vendosi t’i përkushtohej fluturimit.

Kështu, ai i dhuroi tre vendet ngjitur, njerëzve me histori frymëzuese.

Hayley Arceneaux është një 29-vjeçare që kapërceu kancerin e kockave dhe u rikthye për të punuar në objektin mjekësor që e kuroi atë, Spitali Kërkimor i Fëmijëve Shën Jude në Memphis, Tennessee.

Dhe Isaacman dëshiron të mbledhë 200 milionë dollarë për punën e spitalit.

51-vjeçarja Sian Proctor është një gjeoshkencëtare dhe kërkuese shkencore. Ajo iu afrua të qenit astronaute e NASA-s në vitin 2009, por humbi në raundin e fundit të përzgjedhjes.

Proctor fitoi vendin e saj përmes rolit si artiste dhe duke demonstruar aftësitë e saj sipërmarrëse. Ajo planifikon të pikturojë teksa sheh nga dritarja me kube e Dragon-it.

Chris Sembroski, i cili është 42 vjeç, është një veteran i Forcave Ajrore të SHBA-ve dhe punon si inxhinier me kompaninë e hapësirës ajrore Lockheed Martin.

Ai i kishte bërë një donacion spitalit që gjithashtu e futi në shortin për pozicionin e katërt në ekuipazh.

SpaceX dhe Inspiration4 e kanë përshkruar nisjen e së mërkurës së 15 shtatorit si “misioni i parë civil në orbitë”.

Sipas “BBC”, aktiviteti hapësinor po bëhet gjithnjë e më komercial dhe ideja që njerëzit mund të shkojnë në orbitë jashtë fushëveprimit të agjencive kryesore kombëtare të hapësirës do të duket gjithnjë normale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore