Lajme

Sondazhi zbulon se 65% e rusëve duan traktat paqeje me Ukrainën


Mediat ruse publikuan rezultatet e një sondazhi të opinionit publik, sipas të cilit 65 për qind e rusëve mbështesin vendimin për të ndaluar luftën në Ukrainë dhe për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta liberale “Kommersant”, duke iu referuar të dhënave të sondazhit të shërbimit sociologjik.

Sipas sondazhit, 65 për qind e rusëve do ta miratonin vendimin e Vladimir Putin-it për të ndaluar operacionin ushtarak në Ukrainë dhe për të nënshkruar një marrëveshje paqeje.

Në të njëjtën kohë, 60 për qind e të anketuarve do të mbështesnin gjithashtu synimin e presidentit rus për të nisur një sulm të ri ndaj Kiev-it.

Në përgjithësi, 52 për qind e të anketuarve u shprehën për vazhdimin e operacionit ushtarak dhe 38 për qind për kalimin në negociatat e paqes.

Autorët e studimit vërejnë se gjatë periudhës nga mesi i marsit deri në fund të korrikut, raporti i mbështetësve dhe kundërshtarëve të luftës praktikisht nuk ka ndryshuar.

Tani 69 për qind e të anketuarve e mbështesin atë, 23 për qind kanë mendim të kundërt dhe 8 për qind e tjerë kanë vështirësi ose refuzojnë të përgjigjen.

59 për qind e rusëve besojnë se i ashtuquajturi “operacion ushtarak” në Ukrainë është zvarritur, 28 për qind e pjesëmarrësve në sondazh kanë mendim të kundërt.

Sipas 30 për qind të rusëve, armiqësitë do të zgjasin më shumë se një vit, 18 për qind presin përfundimin e tyre brenda një viti.

20 për qind e të anketuarve shpresojnë për përfundimin e luftës brenda gjashtë muajve, dhe vetëm 13 për qind e të anketuarve presin me optimizëm përfundimin e armiqësive brenda 1-3 muajve.

Pothuajse dy të tretat e burrave rusë (62 për qind) nuk janë të gatshëm të marrin pjesë personalisht në armiqësitë në Ukrainë, nëse kanë mundësi.

Sociologët vënë në dukje se kjo vlerë është 6 pikë përqindjeje më e lartë se treguesit e një sondazhi të ngjashëm që u zhvillua në gjysmën e dytë të majit.

Hulumtimi është kryer me anketë telefonike në datat 28-31 korrik. Në të morën pjesë 1 mijë e 609 të anketuar në tetë rrethe federale.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore