Kosova

Sondazhi: Kosovarët më të interesuarit për t’u mobilizuar nën armë – gatishmëria për luftë më e ulët në popujt tjerë të rajonit


Ilustrim

Një sondazh i institutit amerikan Gallup International mbi përqindjen e qytetarëve të gatshëm të luftojnë për vendin e tyre, zbulon se 74 për qind e kosovarëve janë të gatshëm të luftojnë në rast të shpërthimit të luftës, ndërsa vetëm 14 për qind janë shprehur kundër mobilizimit nën armë. Rreth 7 për qind e kosovarëve janë përgjigjur “nuk e di” në pyetjen nëse do të luftonin.

Për sa i përket vendeve tjera në Ballkanin Perëndimor, rreth 60 për qind e qytetarëve të Shqipërisë janë shprehur të gatshëm të luftojnë, kurse 28 për qind nuk janë gati t’i rrokin armët. Kjo përqindje është shumë e ulët në Serbi. Sondazhi i Gallupit zbulon se vetëm 36 për qind e serbëve janë të gatshëm të luftojnë, krahasuar me 50 për qind që nuk janë shprehur të gatshëm.

Në rastin e Bosnje-Hercegovinës, rreth 40 për qind e qytetarëve janë shprehur të gatshëm të luftojnë për ta mbrojtur vendin, kurse 47 për qind nuk kanë shprehur interesim për të luftuar. E niveli më i ulët i gatishmërisë për të luftuar është në Maqedoninë e Veriut, ku vetëm 34 për qind janë shprehur të gatshëm për luftë, krahasuar me mbi 50 për qind që kanë refuzuar.

Sa i përket vendeve në nivel global, në indeksin e gatishmërisë për luftë prijnë Armenia (96 për qind), Arabia Saudite (94 për qind), Azerbajxhani (88 për qind), Pakistanin (86 për qind) dhe Gjeorgjia (83 për qind). E listës me më pak të gatshëm i prijnë Italia (78 për qind), Austria (62 për qind), Gjermania (57 për qind), Nigeria (54 për qind) dhe Spanja (53 për qind).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore