Kosova

Sondazhi i PIPOS zbulon se rreth 70 për qind e shqiptarëve do të votojnë për “Frontin Evropian” në zgjedhjet e 8 majit


Ali Ahmeti

Një anketë e realizuar mes 29 dhe 30 prillit të këtij viti nga Insituti i Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), rezultatet e të cilit u publikuan në televizionin “Klan Kosova” të enjten, zbuloi se rreth 70 për qind e respodentëve shqiptarë do të votojnë për koalicionin “Fronti Evropian” në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj në Maqedoninë e Veriut.

Në pyetjen e PIPOS “Ju lutem na thoni, brenda kampit shqiptar, cilin koalicion do ta votoni në zgjedhjet parlamentare të 8 majit?”, mbi 66 për qind nga mbi 1 mijë të anketuar u përcaktuan për “Frontin Evropian” të drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ndërsa rreth 33 për qind e të anketuarëve për koalicionin e partive opozitare shqiptare “VLEN”.

Në pyetjen “Ju lutem na thoni, pavarësisht për kë votoni, cila prej koalicioneve të mëposhtme besoni që do të fitojë në zgjedhjet e 8 majit”, rreth 64 për qind e respodentëve nga zonat zgjedhore 1,2, 5 dhe 6, besojnë se do të fitojë koalicioni “Fronti Evropian”, kundrejt 30 për qind që shprehën besimin se në zgjedhjet e 8 majit do të fitojë koalicioni opozitar “VLEN”.

Në Maqedoninë e Veriut ekziston një rregull i pashkruar që qeveritë të formohen nga partitë fituese shqiptare dhe maqedonase, pavarësisht orientimeve të tyre programore. Prandaj edhe në pyetjen e PIPOS “Ju lutem na thoni, a besoni në parimin ‘qeverinë duhet ta formojë fituesi i kampit shqiptar me fituesin e kampit maqedon’?”, rreth 67 për qind thanë “Po”.

E kreu i opozitës nacionaliste maqedonase, Hristijan Mickoski, përveç shpalljes së fitores ende pa u mbajtur zgjedhjet parlamentare, paralajmëroi se qeverinë e re do ta formojë VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni “VLEN” që mbështetet edhe nga kryeministri i Kosovës. Ndërkohë, edhe përfaqësues të VLEN-it deklaruan se do të jenë pjesë e qeverisë së re pa asnjë kusht.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore