Shqipëria

Sondazhi i Albanian Post: Tirana dominohet nga PS, LSI në rënie të lirë


Në dy palë zgjedhjet e fundit, ato të vitit 2013 dhe 2017, fituese ka dalë Partia Socialiste. Herën e parë përmes koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane, ndërsa të dytën herë më vete mori timonin për drejtimin e Shqipërisë. Në matjet e opinionit publik të realizuara përgjatë kësaj peridhe vërehej qartë lëvizja e elektoratit kah e majta. Mirëpo, në dy vitet e fundit ka nisur të dalë në pah edhe një fenomen tjetër: zhvendosja e ngadaltë e elektoratit kah qendra. Dhe për dallim nga ajo që ka ndodhur në Evropë, ku e majta ka pësuar erozion të bazës votuese si pasojë e këtij procesi, sipas matjes së opinionit publik të realizuar nga Source në korrik të 2020-ës, në Shqipëri më shumë është prekur e djathta. Partitë si Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të tjerat më të vogla janë dëmtuar edhe në bastionet e tyre.

Qarku më i madh në Shqipëri, ai i Tiranës, paraqet reflektim të këtij trendi të përgjithshëm. Krahasuar me vitin 2009, në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017, Partia Socialiste ka rritur numrin e mandative, nga 15 në 16 dhe më pastaj në 18 mandate. Partia Demokratike që më 2009 kishte 16 mandate, në dy palë zgjedhjet e radhës i ka marrë 11 mandate. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim, nga një mandate në vitin 2009, ka kaluar në tre mandate katër vjet pas dhe pesë mandate në vitin 2017.

Të gjeturat e sondazhit të realizuar nga Albanian Post dhe Instituti Gani Bobi tregojnë se lëvizjet në elektoratin e Qarkut të Tiranës do të vazhdojnë dhe pasqyrohen edhe në këto zgjedhje. Hulumtimi është realizuar sipas metodës së rastit me mostër përfaqësuese për qarkun dhe njësitë përbërëse: Bashkia Tiranë, Kamëz, Kavajë, Vorë dhe Rrogozhinë. Po ashtu, janë targetuar të njëmbëdhjetë njësitë përbërëse dhe ndarjet tjera të Bashkisë Tiranë, si bashkia më e madhe, për ta pasqyruar më qartë elektoratin brenda tërësisë.

 

Disponimi për zgjedhje dhe deklarimi i votës

Disponimi i elektoratit për të dalë në zgjedhje rezulton të jetë i lartë për Qarkun e Tiranës. Nga numri total i të anketuarve, 97.8% kanë thënë se janë të vendosur për të dalë në zgjedhje, 1.8% janë deklaruar të pavendosur dhe vetëm 0.4% janë deklaruar se nuk do të dalin në zgjedhje.

Në zgjedhjet e vitit 2017, në Qarkun e Tiranës Partia Socialiste i kishte marrë 48.24% të votave, Partia Demokratike 30.81%, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim 13.45%. Mirëpo, tani vetëm 1.3% e të anketuarve në sondazh thonë ta kenë votuar LSI-në, që në krahasim me rezultatin zgjedhor të vitit 2017 tregon distancim në shifrën 90.33%, ose 12.15 pikë të përqindjes nga ai rezultat zgjedhor.

Ky distancim vërehet edhe në raport me PD-në, distancimi në raport me të cilën është në shifrën e 10.31 pikë të përqindjes. Megjithatë, duke analizuar përqindjen e atyre që kanë refuzuar ta deklarojnë votën e tyre për zgjedhjet paraprake dhe rezultatin zgjedhor të vitit 2017, bashkë me të gjeturat e sondazhit, mund të konstatohet se një pjesë e asaj vote gjendet pikërisht tek kategoria e atyre që kanë refuzuar ta tregojnë atë. Ndërsa, për LSI-në deklarimi duket të jetë real, meqë përputhet me numrin dhe përqindjen e atyre që kanë thënë se do ta votojnë këtë subjekt në zgjedhjet e 25 prillit.

 

Qarku Tiranë – disponimi qytetar për partitë politike

Në pyetjen direkte “Për cilin subjekt do të votonit nëse zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e ardhshme?”, 57.2% të të anketuarve në nivel qarku kanë zgjedhur Partinë Socialiste, 27.1% janë deklaruar se do ta votojnë Partinë Demokratike bashkë me aleatët, 1.1% kanë thënë se do ta votojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, 10% janë deklaruar të papërcaktuar, 1% kanë refuzuar të përgjigjen, 0.9% janë përgjigjur me “nuk e di” dhe përqindja tjetër shpërndahet nëpër partitë e vogla.

Pra, parashikimi është se PS-ja do të rritet për rreth 9 pikë të përqindjes, ndërkaq PD-ja dhe LSI-ja bien, e para për 3 pikë përqindjeje, kurse e dyta për 12.35 pikë të përqindjes.

Në nivel të qarkut me përqindje të ulta figurojnë partitë tjera të vogla, ndër to edhe disa parti të spektrit të djathtë, si Nisma Thurje me 1.2%, dhe Lëvizja për Ndryshim me 0.7%.

Bazuar në këto shifra, “gara reale” për Qarkun e Tiranës do të zhvillohet ndërmjet dy subjekteve më të mëdha në historinë politike të demokracisë në Shqipëri, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Por, trendi aktual e thellon dallimin e krijuar në zgjedhjet e vitit 2017, mes PS-së dhe PD-së. Sondazhi tregon se socialistët do ta kenë gati dyfishin e votave, pra 57.2%, karshi demokratëve me 27.1%.

 

Projeksioni për bashkitë dhe njësitë e veçanta

Bashkia Tiranë

Rezultatet e sondazhit për Bashkinë Tiranë janë pak a shumë të përafërta me rezultatet zgjedhore të vitit 2017, për këtë bashki. Lëvizje të theksuar regjistron vetëm Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila nga 13.02% sa kishte marrë në ato zgjedhje, sondazhi e nxjerr me 1.5% tani. Partia Demokratike e cila para katër vjetësh kishte 27.67% të votës, tani del në shifrën 25.4%. Ndërsa, Partia Socialiste është rritur për 4.61%, në të njëjtën njësi krahasimore – nga 51.43% më 2017, tani ka 53.8%.

Pra, Partia Socialiste është rritur për 4.61%, Partia Demokratike shënon rënie për 8.2%, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim tkurret fort duke humbur 88.48% të votës së saj në Bashkinë e Tiranës.

Njësia Bashkiake I

Në këtë njësi bashkiake Partia Socialiste, me 61.2% e ka gati trefishin e votës së Partisë Demokratike, me 21.2%. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk figuron fare, Nisma Thurje del t’i ketë 3.8%, Lëvizja Vetëvendosje 1.2%, ndërsa të pavendosur janë deklaruar 8.6% e të anketuarve.

Në vitin 2017, PS-ja në këtë njësi ka marrë 51.3%, PD-ja 27.11% dhe LSI-ja 13.44%. Një pjesë e votës së humbur të PD-së me gjasë ka shkuar tek Nisma Thurje. Kategoria e të pavendosurve në shifrat 8.6% është më e lartë se mesatarja e përgjithshme, por nuk prek rezultatin.

Njësia Bashkiake II

Në Njësinë Bashkiake II, respondetët e sondazhit e kanë favorizuar Partinë Socialiste me 63.6%. Për Partinë Demokratike kanë thënë se do të votonin 17.3% të tyre, ndërsa për LSI-në përqindja është zero. Nisma Thurje ka 0.9%, Lëvizja për Ndryshim e Jozefina Topallit 1.8%, kurse të pavendosur janë deklaruar 15.5%.

Vota reale krahasuese për tre partitë kryesore më 2017 ka qenë: PS 50.2%, PD 27.9% dhe LSI 12.2%. Pra, pritet rritja e votës për socialistët për 13.4 pikë të përqindjes, rënia e PD-së për 10.6 pikë të përqindjes dhe potencialisht zhdukja e LSI-së.

Njësia Bashkiake III

Edhe në Njësinë Bashkiake III, bazuar në rezultatet e sondazhit, nuk ka vota të dukshme për Lëvizjen Socialiste për Integrim, megjithëse para katër vjetësh subjekti që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi kishte marrë 10.6% të votave.

Rritje të konsiderueshme ka vota potenciale për Partinë Demokratike, nga 27% sa ka marrë në vitin  2017, tani vota e deklaruar për demokratët është në shifrën 38%. Pra, ka rritje për 11 pikë të përqindjes, aq sa është vota e tretur e LSI-së.

PS-ja ndërkaq është pothuajse në ato përqindje që i ka patur edhe më 2017, me një rritje të lehtë nga 53%, sa ka qenë në vitin 2017, tani janë deklaruar 54%. Në këtë njësi, të pavendosur janë deklaruar 8% të respondentëve.

Njësia Bashkiake IV

Në këtë njësi bashkiake, sondazhi tregon rënien e perkrahjes për Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që shoqërohet nga dhe rritja e mbështetjes për Partinë Demokratike. Nga 51.9%, sa pati qenë më 2017, tani PS-ja rezulton ta jetë në shifrën 42.5%. Para katër vjetësh, LSI-ja pati marrë 12.2% të votave, ndërsa tani sondazhi e nxjerr me 2.5%.

Për dallim nga e majta, demokratët janë rritur, nga 28.3% sa ishte mbështetja për ta më 2017, tani janë në shifrën 40.0%. E djathta politike është më prezente në këtë njësi bashkiake edhe me prezencën e Nisma Thurje në nivelin 1.2 %. Ndërsa, të pavendosur në këtë njësi janë deklaruar 11.2 % e të anketuarve.

Njësia Bashkiake V

Sondazhi tregon rritjen e Partisë Socialiste, nga 53.7% sa ka qenë në vitin 2017, në 57.6% tani. Partia Demokratike shënon një rënie të lehtë në 22%, nga 23.2% sa ishte para katër vjetësh. Rënien më të theksuar e ka Lëvizja Socialiste për Integrim, nga 13.1% sa ishte më 2017, në 3.8% tani.

Në këtë njësi, megjithëse me përqindje të vogël, të vërejtshme janë Nisja Thurje me 2.3%, Lëvizja për Ndryshim me 0.8%, si dhe Lëvizja Vetëvendosje me 0.8%, sa ka edhe koalicioni i Kujtim Gjuzit. Të pavendosur në këtë njësi janë deklaruar 9.8% të të anketuarve.

Njësia Bashkiake VI

Në këtë njësi bashkiake tre partitë kryesore kanë shënuar rënie. Partia Socialiste, nga 53.7% sa ka qenë në vitin 2017, në sondazh del të jetë në shifrën 49.5%. Partia Demokratike nga 15.6%, rezultat që e ka regjistruar para katër vjetësh, në sondazh rezulton ta ketë të përgjysmuar përkrahjen, 13.3%. Lëvizja Socialiste për Integrim në sondazh i ka 4.8% të votave, kurse në vitin 2017, në këtë njësi bashkiake ishte në shifrën 14.3%. Në përgjithësi, 28.6 %, që është numër i lartë, figurojnë të padeklaruar, pra më shumë se çdo i katërti i anketuar.

Me nga një për qinid figurojnë, Nisma Thurrje, Lëvizja për Ndryshim dhe Lëvizja Vetëvendosje. Më i lartë është numri i atyre që kanë deklaruar se ende nuk kanë vendosur për votën e tyre – 22.9 % të tillë, si dhe 5.7 % kanë refuazuar të deklarohen.

Njësia Bashkiake VII

Sondazhi tregon rritjen e përkrahjes për Partinë Socialiste, nga 51.61% sa ishte në vitin 2017, në 56.5% tani. Partia Demokratike ka mbetur në nivele përafërsisht të njëjta. Më 2017, kishte marrë 27.97% të votës, kurse sondazhi projekton tek 27.8% të përkrahjes qytetare tani. Lëvizja Socialiste për Integrim, që më 2017 pati marrë 11.81 % të votës në këtë njësi bashkiake, tani nuk paraqitet fare si faktor.

Nga partitë e spektrit të djathtë sondazhi pasqyron Nismën Thurje me 1.9% dhe Lëvizjen për Ndryshim me 0.9%. Edhe në këtë njësi bashkiake regjistrohet përqindje e lartë e të pavendosurëve dhe e atye që refuzojnë ta deklarojnë votën, 9.3%.

Njësia Bashkiake VIII

Në këtë njësi bashkiake, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë mbetur në nivele të përafërta me votën e marrë në Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2017. PS-ja më 2017 ka marrë 43.56% të votës, kurse në sondazh del me 42.0%. PD-ja më 2017 ka fituar 33.71%, ndërsa në sondazh ka 34.0% të përkrahjes. LSI-ja që më 2017 ka marrë 15.6% të votës, në sondazh nuk figuron fare.

Edhe te kjo njësi bashkiake gati çdo i katërti i anketuar është deklaruar i pavendosur, 22.0%, ose ka refuzuar deklarimin e votës, 2.0%.

Njësia Bashkiake IX

Sondazhi regjistron përkrahje vetëm për tre partitë e mëdha, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim. PS-ja shënon rritje, nga 50.56% sa kishte fituar në vitin 2017, aktualisht në sondazh figuron me 54.9% të përkrahjes. PD-ja më 2017 ka fituar 31.01% në këtë njësi bashkiake, kurse në sondazh figuron me 37.8%.

Rritja e këtyre Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike është ndihmuar nga ulja e përkrahjes për LSI-në, që më 2017 kishte  marrë 9.39%, kurse aktualisht në sondazh figuron me 1.2% të përkrahjes. Numri i të pavendosurve në këtë njësi bashkiake është më i ulët se në të tjerat, janë 6.1%.

Njësia Bashkiake X

Në këtë njësi bashkiake, në sondazh të tre partitë kryesore që e kanë administruar Shqipërinë në dy dekadat e fundit figurojnë me rënie të përkrahjes. Partia Socialiste që më 2017 pati fituar 51.46% të votës, në sondazh tani rezulton të jetë 45.7%. Partia Demokratike e cila më 2017 pati fituar 26.8% të votës, tani në sondazh e ka përkrahjen e 17.1% të të anketuarve. Lëvizja Socialiste për Integrim, nga 11.4 % sa kishte marrë në vitin 2017, në sondazh bie në 2.8 % të përkrahjes.

Në këtë njësi bashkiake më prezente janë partitë e të djathës politike. Nisma Turje e ka 5.7% të përkrahjes, ndërsa LZH-ja 2.9%. Të pavendosur janë 17.1% dhe refuzojnë deklarimin e votës 8.6%, që së bashku përfaqësojnë një të katërtën e të anketuarve.

Njësia Bashkiake XI

Në këtë njësi bashkiake, Partia Socialiste në sondazh figuron me 50.0% të përkrahjes, ndërkaq që më 2017 pati fituar 45.0% të votës. Partia Demokratike aktualisht në sondazh i ka 22.5% të përkrahjes, kurse në vitin 2017 ka qenë dukshëm më lart. me 34.9% të votës së fituar. Lëvizja Socialiste nuk figuron fare në sondazh.

Edhe në këtë njësi bashkiake paraqiten dy partitë e spektrit të djathtë, Lëvizja për Ndryshim me 3.8% dhe Nisma Thurje me 2.5% të përkrahjes. Të papërcaktuar janë 20%, ndërsa kanë refuzuar deklarimin e votës 1.2% të të anketuarve.

Farkë

Në Farkë sondazhi tregon dominimin e madh të Partisë Socialiste që ka 90% të përkrahjes në sondazh, dhe që rezulton të jetë rritur për 95% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, kur kishte marrë 46.15% të votave. Partia Demokratike, e cila më 2017 kishte 31.60% të votave, tani rezulton të jetë tkurrur në 10% të mbështetjes popullore.

Është e vështirë të thuhet me saktësi shumë të lartë tendenca që shprehet në sondazh, por është e qartë se Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila para katër vjetësh në Farkë i kishte marrë 16.83% të votave, është tkurrur pothuaj në nivel të zhdukjes.

Kashar

Sondazhi në Kashar e ndan votën mes Partisë Socialiste me 82.9% dhe Partisë Demokratike me 17.1%. Në zgjedhejt e vitit 2017, PS-ja kishte marrë 53.8% të votave, PD-ja 27.7% dhe LSI-ja 11.0%.

Pra, krahasuar me rezultatin zgjedhor të para katër vjetëve, rezulton që Partia Socialiste është rritur për 54.09%, Partia Demokratike la rënie për 38.27% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e ka humbur pothuaj krejt votën e saj në Kashar.

 

Bashkia Kamëz

Kamëza si bashkia më e madhe në gjithë qarkun, pas Tiranës, në të ciilën në dy palë zgjedhjet paraprake mesatarisht kanë votuar 45 mijë qytetarë, e ndan përkrahjen mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Në pyetjen e sondazhit, 50.2% të qytetarëve kanë thënë se do ta votonin PS-në, ndërsa 49.8% kanë zgjedhur PD-në. Lëvizja Socialiste për Integrim nga 11.94%, apo 5 mijë e 228 vota sa kishte më 2017, tani nuk shfaqet fare në të gjeturat e sondazhit.

Në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Socialiste ka patur 48.7% të përkrahjes, që do të thotë se tani është rritur për 3.08%, karshi Partisë Demokratike që është rritur për 36.41%, duke marrë pjesën e votuesve të LSI-së.

 

Bashkia Kavajë

Për dallim nga Kamëza, ku gara mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike del të jetë e ngushtë, në Kavajë sondazhi e nxjerr PS-në me 62.7% të përkrahjes popullore, pothuaj dyfish më shumë se PD-ja që rezulton të jetë në shifrën 32%. Nga totali i të anketuarve, 5.3% janë të papërcaktuar, kanë refuzuar të përgjigjen apo nuk kanë patur përgjigje.

Më 2017, Partia Socialiste kishte marrë 42.6% të votave, Partia Demokratike 39.0% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 13.2%. Nëse i krahasojmë rezultatet, del se PS-ja është rritur për 47.18%, PD-ja ka rënie për 17.95% dhe LSI-ja nuk figuron fare në sondazh.

Vota në vitin 2017 ka qenë e ndarë kështu: PS 42.6%, PD 39.0%, LSI 13.2%.

 

Bashkia Rrogozhinë

Në Rrogozhinë, Partia Socialiste rezulton dominante me 92.5% të përkrahjes popullore, karshi Partisë Demokratike me 7.5%. Kjo përqindje kaq e lartë e PS-së në raport me PD-në mund të tkurret maksimumi deri në 3/4 e mbështetjes për socialistët, në raport me demokratët. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk figuron fare as në Bashkinë e Rrogozhinës.

Në vitin 2017, vota ka qenë e shpërndarë në këtë formë: Partia Socialiste 42.8%, Partia Demokratike 25.6% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 10.7%.

Bashkia Vorë

Në këtë bashki, ku mesatarisht votojnë 15 mijë qytetarë, Partia Socialiste rezulton e para me 75% të përkrahjes popullore, karshi Partisë Demokratike që ka 25%. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk rezulton fare prezente në Vorë.

Në zgjedhjet e vitit 2017, vota reale për partitë ka qenë: Partia Demokratike 36.0%, Partia Socialiste 33.1% dhe Lëvizja Socialiste për Integrim 28.4%. Pra, në Vorë, PS-ja e ka përmbysur epërsinë e PD-së, duke e rritur votën për 41.9 pikë të përqindjes.

 

Vlerësimi për liderët

Një prej indikacioneve të rëndësishme jo edhe aq të terthorta të orientimit të votës është vlerësimi i udhëheqësve të subjekteve politike. Një pjesë jo e vogël e elektoratit lidhet më shumë me figurën dhe adhurimin e liderëve se sa me partinë dhe programin e saj.

Në sondazh kemi kërkuar nga respondentët që t’i vlerësojnë liderët kryesorë të tre partive Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, për ta parë korelacionin mes vlerësimit të liderëve dhe preferencës së votës për partinë.

Më i vlerësuari pozitivisht ne Qarkun e Tiranës në sondazh doli kryebashkiaku ErionVeliaj me 49.2%. Pas tij u radhit kryeministri Edi Rama, i cili pozitivisht vlerësohet nga 32% e të anketuarve. Lulzim Bashën pozitivisht e vleresojnë 17.2%, Ilir Metën 12.3% dhe Monika Kryemadhin 10.7%.

Vlerësimet negative e kanë renditjen e përmbysur. Monika Kryemadhi është në krye të listës me 63.9%. Ilir Meta vlerësohet negativisht nga 61.5%, Lulzim Basha nga 50.8%, Edi Rama dhe Erion Veliaj janë afër njëri-tjetrit, me 27%, përkatësisht 26.3%.

Grafiku tregon korelacionin e lartë mes vlerësimit të liderëve dhe votës së deklaruar për subjektet që ata udhëheqin/përfaqësojnë. Nuk do të duhej të konsiderohej befasi pse në sondazh LSI-ja qëndron aq ulët, dhe pse edhe PD-ja vazhdon të humb përkrahjen e elektoratit në shkallën më të ulët, duke pare vlerësimin që qytetarët kanë për udhëheqësit e këtyre dy partive.

 

Vota e të papërcaktuarve

Shkalla relativisht e lartë e mosdeklarimit të votës në këtë fazën e parafushatës elektorale krijon përshtypjen se partitë politike në garë kanë ende miundësi që të angazhohen për vota shtesë nga kontingjenti i të papërcaktuarve. Një indikacion i orintimit të mundshëm të kësaj vote ështëkryqëzimi i deklarimeve si të pavendosur, me deklarimin e tyre se si kanë votuar në vitin 2017, për të parë preferencat që i kanë pasur atëherë dhe që mund të ndikojnë edhe në motivimin për votim më 25 prill.

Në të vërtetë grafiku në vijim nuk jep përgjigje të qartë për tendencën e votës së të pavendosurve. Çështja është se shumica dërmuese e këtyrë të anketurve një njëfarë mënyre e fshehin se si ka votuar në vitin 2017 duke thënë se nuk u kujtohet , refuzojnë të përgjigjen ose pohojnë se nuk kanë votuar. Totali i këtyre përgjigjeve përfshin 2/3 e të anketuarve, në tre katgoritë e para të grafikut, që përbejnë 62.9%.

Pastaj indikative është se nga ata që e kanë deklaruar votën e vitit 2017, shumica dërmuese që i takojnë edhe kategorisë së të pavendosurve për zgjedhjet e ardhshme, pohojnë se e kanë votuar PS-së, pra janë 23.4% në këtë kategori. Si ish-votues të PD-së deklarohen 4.8%, të LSI-së 3.2 %.

Supozimi është se shumica e të anketuarve që e kanë vështirë ta pranojnë se për cilin subjekt kanë votuar në vitin 2017 dhe për cilin do të votojnë eventualisht më 25 prill, si duket e fshehin preferencën e tyre dhe këtu edhe duhet kërkuar votat e “zhdukura”, ktyesisht të LSI-së, por pjesërisht edhe të PD-së.

Me fjalë të tjera, ata që e kanë votuar PS-në në vitin 2017 nuk e kanë bezdi ta pranojnë këtë sot edhe nëse vërtet janë në mëdyshje nëse sërish duhet ta votojnë PS-në. Kurse ata që e kanë votuar LSI-në dhe PD-në, nuk e ndiejnë këtë komoditet të deklarimit.

 

__

Kjo matje tregon se Partia Socialiste është fuqizuar edhe në Qarkun e Tiranës, në disa prej bashkive të të cilit është dyfishuar. Partia Demokratike ka pak shpresa të rritet. Ndërsa, Lëvizja Socialiste për Integrim është në nivelet më të këqija historikisht. Rrjedhimisht, rezultatet e sondazhit tregojnë se socialistët do ta rrisin numrin e mandateve nga ky qark, demokratët kanë pak mundësi për të shtuar mandate, ndërsa partia që udhëhiqet nga Monika Kryemadhi do ta ketë të vështirë ta sigurojë një mandat nga ky qark.

Ky trend është përgjithësisht në sinkron me atë të në nivel vendi, kur si njësi krahasuese merret matja e Source Group e realizuar në shtator të 2020-ës. Rezultati në Qarkun e Tiranës, sikur edhe në atë të Beratit, është tregues i dobësimit që opozita dhe sidomos LSI-ja ka pësuar pas djegies së mandatevekundër këshillave të Bashkimit Evropian dhe pas refuzimit për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019, të cilat në ato kushte i pati fituar bindshëm Partia Socialiste. Përveç kësaj, LSI-ja ndjek edhe trendin ballkanik të tkurrjes së partive të vogla, sikurse ka ndodhur në Serbi, në Kosovë dhe që mund të vërtetohet në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore