Sokol Bashota decertifikohet nga KQZ-ja, nuk mund të kandidojë për kryetar komune

SHFLETO

Kandidati për kryetar të Klinës, Sokol Bashota

 

Altina Marmullaku
03.09.2021 13:12
Loading Icons...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), në mbledhjen e të premtës ka decertifikuar kandidatin për kryetar të Klinës, Sokol Bashota nga radhët e PDK-së.

Bashotës, para disa ditësh gjykata i ka shqiptuar vendimin e formës së prerë për mos deklarim të pasurisë. Mirëpo, përveç Bashotës është decertifikuar edhe një kandidat për asamble komunale.

Ylli Buleshkaj nga Zyra për regjistrimin e partive politike, në këtë mbledhje tha se me 1 shtator kanë pranuar aktgjykimin për këtë rast.

“Me 1 shtator e kemi pranuar një aktgjykim ndaj dy kandidatëve që kanë qenë të certifikuar në komunën e Klinës, fjala është për Sokol Bashotën dhe rekomandojmë që këta dy kandidatë të decertifikohen”.

Vërtetimi i dënimit për mosdeklarim të pasurisë nga Gjykata e Apelit, i ka dalë pengesë ish-kryetarit të Klinës, në qëllimin për rimarrjen e pushtetit në atë komunë.

Sokol Bashota ishte certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të kandiduar për të parin e Klinës në zgjedhjet lokale të 17 tetorit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Bashota, në kohën kur u certifikuan kandidatët për kryetar të komunave nga KQZ-ja, nuk kishte një aktgjykim të plotfuqishëm nga Gjykata e Apelit.

Gjykata e Apelit në Kosovë vërtetoi më 30 gusht, aktgjykimin e Themelores së Pejës për rastin e Bashotës dhe ish-nënkryetarit të Klinës, Enver Berisha.

Gjykata Themelore në Pejë, Bashotën dhe Berishën, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare”.

Ata ishin dënuar me burgim me kusht prej 6 muajve. Dënimi do të duhej vuajtur vetëm nëse gjatë periudhës njëvjeçare do të kryenin vepër tjetër penale. Po ashtu të akuzuarit janë gjobitur me 1 mijë e 200 euro.

Apeli ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore të Pejës si të pabazuar e po ashtu ankesën e avokatëve mbrojtës të Sokol Bashotës dhe Enver Berishës.

Për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4 mijë e 920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4 mijë e 757 për kuvende komunale.