Shqipëria

Socialistët thonë se 21 janari ishte krim shtetëror: Vendimi i Strasburgut i hap rrugën drejtësisë


Këtë të premte të 8 dhjetorit Partia Socialiste ka mbledhur Kongresin, i cili përfaqëson organin më të lartë vendimmarrës.

Fjala hapëse iu besua ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Ajo në fjalën e saj – ashtu si socialistët e tjerë që vijuan më pas – zgjodhi të flasë për vendimin e dhënë nga Gjykata e Strasburgut për vrasjen e Aleks Nikës në 21 janar 2011.

Për të, një ndër arsyet përse opozita ka shkaktuar kaos prej kohësh në Kuvend, është fakti se drejtësia ka filluar të funksionojë.

“Pak ditë më parë gjykata e Strasburgut shkroi një vendim për tragjedinë e 21 janarit, pushkatimit pa gjyq të 4 protestuesve në shesh. Një udhërrëfyes juridik i asaj që ne i kemi dhënë përgjigje ndër vite dhe presim të zgjidhet nga sistemi gjyqësor në Shqipëri”.

Në të njëjtën linjë mendimi ishte edhe paneli që diskutoi rreth reformës në Drejtësi.

Vetë ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh se vendimi i Strasburgut i ka hapur rrugë hetimeve.

Manja tha se PS do ta mbështesë drejtësinë pavarësisht çmimit dhe sipas tij, sistemi i drejtësisë tashmë është konsoliduar dhe ka filluar të japë rezultatet.

Më i ashpër u tregua deputeti socialist, Erion Braçe, i cili tha se 21 janari është pushkatim pa gjyq në mes të Bulevardit.

Braçe u shpreh se prokuroria e Tiranës është tallur me hetimet aso kohe, ndërsa shtoi se një vendimi tillë i hap rrugë drejtësisë për të çuar në ndëshkimin e atyre që janë përgjegjës.

Dita e Rinisë, pluralizmit…dhe Kongresit Socialist

Në fakt, të tilla Kongrese janë kritikuar shpesh, pasi etiketohen si formale dhe si mundësi e rastit që lideri partiak të mbajë një fjalë më shumë.

Për këtë Kongres gjithsesi, formati më së shumti i ngjan një mini-samiti, se sa mirëfilltazi kongresi.

Paneli i dytë u lidh me prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia dhe Kultura.

Në të tretin, do të flitet për shërbimet publike: Arsimi, Shëndetësia, dhe Mbrojtja Sociale, Sipërmarrja, Arsimi Profesional.

Qeverisja Vendore zë vend në panelin e katërt, me tema si Reforma Territoriale, Ekonomia Vendore, Shërbimet, Mjedisi.

Siguria dhe Shqipëria në botë do të jetë temë e panelit të pestë dhe paneli i gjashtë, do të lidhet me Partinë Socialiste 2023.

Përmbyllja gjithsesi, do të mbetet e njëjta: fjala e kryetarit të PS-së, Edi Rama.

A mund të ketë risi gjithsesi brenda, në formën e vetë rinisë? Nuk përjashtohet!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore