Lajme

Socialistët arrijnë fitoren edhe në Dibër, demokratët në pikiatë


Partia Socialiste ka arritur të fitojë edhe në Bashkinë e Dibrës me kandidatin e saj Rahim Spahiu. Kjo është fitorja e katërt për socialistët në zgjedhjet e pjesshme të cilat u mbajtën të dielën e 6 marsit.

Spahiu ka marrë 13 mijë e 955 vota, 61% të votave, duke fituar bindshëm kundër tre kandidatëve të tjerë.

I dyti është renditur kandidati i koalicionit Shtëpia e Lirisë, Premtim Kryemadhi me 4 mijë e 478, 19.4% të votave, duke u pasuar me atë të Partisë Demokratike Luan Haka që ka siguruar 4 mijë e 437 vota, 19%, dhe i fundit kandidati i një partie të re Lëvizja e Re, Dritan Torba ka marrë vetëm 99 vota.

Ajo çfarë është vënë re në këto zgjedhje pavarësisht pjesëmarrjes së ulët në votime as 1/3 e zgjedhësve në totalin e të gjashtë bashkive që ishin në garë, PD-ja ka pasur një rënie të dukshme të popullaritetit të saj.

Në krahasim me zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, PD-ja në Dibër ka pasur një rënie me 29%, ndërsa PS-ja është rritur me 21% në krahasim me zgjedhjet e kaluara të vitit 2021.

E para ishte Bashkia e Vorës që u konfirmua si fitore e socialistëve, e dyta Rrogozhina dhe më pas Lushnja.

Ndërkaq kanë mbetur akoma kuti për tu numëruar në Durrës – ku kryeson PS-ja – dhe në Shkodër – ku kryeson Shtëpia e Lirisë me kandidat Bardh Spahia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore