Lajme

Social Demokratët mposhtin konservatorët e Merkel-it


Nga e majta, udhëheqësi i liberalëve, Christian Lindner, kandidatja e Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock, në mes udhëheqësi i qendrës së majtë, Olaf Scholz, në të djathtë kandidati i bllokut të qendrës së djathtë, Armin Laschet

Me të gjitha votat e numëruara, Social Demokratët e Gjermanisë (SPD) kanë fituar zgjedhjet në Bundestag përpara bllokut konservator CDU/CSU të kancelares Angela Merkel.

Kjo, sipas faqes zyrtare të komisionerit federal të zgjedhjeve.

SPD-ja arriti në 25.7 përqind, rezultati i saj më i mirë ndër vite, ndërsa blloku CDU/CSU i Merkel ra në një rekord të ulët prej 24.1 përqind pas shumë vitesh në detyrë.

Më herët, të dy kandidatët kryesorë për të qenë kancelar, Social Demokrati, Olaf Scholz dhe Demokristiani, Armin Laschet, thanë se duan të formojnë qeverinë e ardhshme.

Kabineti i ardhshëm do të jetë i pari në 16 vjet që nuk udhëhiqet nga Merkel pas katër mandateve të saj në postin kryesor.

Reagimet

Laschet po lufton për mbijetesën e tij politike pasi votuesit shprehën pakënaqësinë e tyre.

CDU-ja dhe partia e saj simotër bavareze, Unioni Kristian Social (CSU) regjistruan rezultatin e tyre më të keq në historinë zgjedhore.

CDU/CSU dhe SPD-ja e qendrës së majtë kanë qenë në një “koalicion të madh” për katër vitet e fundit.

Kandidati i bllokut të qendrës së djathtë, Armin Laschet

Nga selia e partisë në Berlin, Scholz shprehu kënaqësinë e tij për “suksesin e madh” të SPD-së.

Scholz drejtoi një fushatë të suksesshme që nënvizoi kompetencën e tij dhe maksimizoi popullaritetin e tij personal tek votuesit.

Ai bëri fushatë për një pagë më të lartë minimale, ulje të taksave për fituesit e mesëm dhe të ulët dhe investime të reja publike.

Votuesit, sipas tij, e kishin bërë të qartë se donin një ndryshim në qeveri – dhe që kancelari i ardhshëm të ishte ai.

Sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Paul Ziemiak u ankua për atë që ai e përshkroi si “humbje të hidhur”.

Udhëheqësi i qendrës së majtë, Olaf Scholz
Skenarët e mundshëm

SPD-ja mund të qeverisë me “Të Gjelbrit”, të cilët fituan 14.8 përqind, dhe Demokratët e Lirë pro-biznesit (FDP), të cilët kapën rreth 11.5 përqind.

Një koalicion me partinë e majtë të ashpër Die Linke (E Majta) është përjashtuar për shkak të zgjedhjeve të dobëta të partisë pacifiste, rreth 4.9 përqind.

SPD-ja gjithashtu mund të ribashkohet me një koalicion me CDU/CSU, por të dyja palët e kanë kundërshtuar këtë mundësi javët e fundit.

Blloku CDU/CSU mund të udhëheqë një koalicion me FDP dhe “Të Gjelbrit”.

Kandidatja e Të Gjelbërve për kancelare, Annalena Baerbock

Por koalicioni i ashtuquajtur “Xhamajka” – u tentua në vitin 2017, vetëm për t’u shpërbërë në mënyrë dramatike me tërheqjen e FDP-së.

Për herë të parë në historinë e saj, Të Gjelbrit paraqitën një kandidat për kancelar këtë vit, Annalena Baerbock.

Partia e saj ka ende një shans të mirë për të hyrë në një koalicion trepalësh me konservatorët ose SPD-në.

E ardhmja kalon nga “Të Gjelbrit” dhe FDP-ja

Partia e Gjelbër me performancën e saj më të mirë elektorale do të ketë një rol si partia e dytë më e madhe në çdo qeveri koalicioni.

Por ata duhet të zgjedhin se me cilën parti do të bëhen partnerë, SPD-në apo CDU-në.

Ajo që kërkon Partia e Gjelbër është një qeveri e qendrës së majtë me SPD-në. Social Demokratët janë ndoshta përshtatja më e natyrshme duke pasur parasysh dëshirën e të Gjelbërve për një qeveri të prirur nga e majta.

Drejtuesit e partisë nuk janë të prirur që CDU-ja të kthehet në qeveri, pasi ata mendojnë se konservatorët nuk i kanë marrë ndryshimet klimatike aq seriozisht sa duhet.

Jashtë qeverisë që nga viti 2013, popullariteti i FDP-së është rritur dhe zbehur vitet e fundit.

Rezultatet sugjerojnë që një koalicion dy partiak me shumicën në parlament duket i pamundur. Kjo sjell në lojë një palë të tretë siç është FDP-ja, e cila mund të jetë mbretëruese në negociatat e koalicionit.

Në të vërtetë, FDP-ja ka treguar gatishmërinë e saj për t’u bashkuar me CDU-në ose SPD-në, dhe ndoshta edhe me të Gjelbrit.

Thënë kjo, udhëheqësi i liberalëve, Christian Lindner, ka përjashtuar një lëvizje drejt së majtës.

Ai e ka syrin tek një punë kryesore në qeverinë e ardhshme, mundësisht ministër i financave.

Udhëheqësi i liberalëve, Christian Lindner

Të Gjelbrit dhe FDP-ja kanë disa dallime të mëdha në tema si politika fiskale dhe ndryshimet klimatike.

Gjatë javëve të fundit ka pasur raportime për biseda joformale midis politikanëve nga të dyja partitë.

Kjo, për të diskutuar kompromiset e mundshme dhe për të parandaluar njërën nga partitë më të mëdha që të ndjekin filozofinë “përça dhe sundo” në bisedime.

Ekstremi i djathtë (AfD) me 11% të votave – jo-faktorizues 

Partia e ekstremit të djathtë AfD – shkurtim i Alternativës për Gjermaninë – siguroi më pak se 11% të votave në shkallë kombëtare.

Transmetuesi ARD raportoi se mund të sigurojë 21% të të gjitha votave në ish-Gjermaninë Lindore, ku ka qenë prej kohësh më e forta.

Megjithatë, pavarësisht tërheqjes së tyre të mundshme të deputetëve, të gjitha partitë e tjera të përfaqësuara në parlamentin gjerman kanë përjashtuar mundësinë e krijimit të një koalicioni me AfD-në.

Politikat e tyre përfshijnë largimin nga BE-ja, kontrolle të rrepta të imigracionit dhe përfundimin e masave të Covid-19 siç janë bllokimet dhe veshja e maskave. Këto nuk mirëpriten nga partitë kryesore.

Pjesëmarrja në zgjedhje

Pjesëmarrja sipas votimit të Forschungsgruppe Wahlen është më e larta që nga viti 2005, kur Angela Merkel u bë kancelare.

Projektimet e para nga sondazhi të qytetarëve gjermanë që dolën në votime qëndrojnë para me 2 pikë nga zgjedhjet e 2017-ës, por më shumë se 6 pikë më shumë se 2013 -ta.

Në vitin 1998, kur Helmut Kohl i CDU/CSU u largua nga zyra, pjesëmarrja në të gjithë Gjermaninë ishte 82%.

Leximi i shifrave

Sipas rezultateve, dy parti duket se kanë mbledhur votën nën 30-vjeç në këto zgjedhje.

Të Gjelbrit dhe FDP-ja liberale mes tyre duket se kanë anketuar mbi 40% të votuesve më të rinj.

Ajo që ndoshta është befasuese është se Social Demokratët nuk u bënë aq mirë me votuesit e rinj.

Nga leximet paraprake të shifrave shumica e rritjes për SPD-në në zgjedhjet e 26 shtatorit duket se vjen nga popullsia e moshuar e Gjermanisë.

Sondazhi i Forschungsgruppe Wahlen hodhi një vështrim tek votuesit mbi moshën 60 vjeç dhe zbuloi se SPD-ja është rritur me 11 pikë nga zgjedhjet e fundit në 35 përqind të votave.

Fitimet e SPD në këto zgjedhje erdhën në mënyrë disproporcionale nga CDU/CSU. Koalicioni i Merkel-it është shkatërruar, me SPD-në – si përfituesja më e madhe.

1.4 milion nga ata që votuan për Angela Merkel në vitin 2017 zgjodhën të votojnë për Olaf Scholz në vitin 2021.

Partia e tij, ka korrur fitime të konsiderueshme në këto zgjedhje, të dyja nga kundërshtari i tij kryesor, por edhe nga skajet radikale të së majtës dhe të djathtës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore