Lajme

“S’mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja” – thotë Kurti


Albin Kurti

Pas zgjedhjeve të reja në Veri të Kosovës mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat të banuara me shumicë serbe.

Kështu të paktën ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas thirrjes së Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtensionim të situatës në këtë pjesë të Kosovës.

Kurti në një prononcim të shkurtër para gazetarëve në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka ripërsëritur kërkesën e tij se protestuesit të dhunshëm të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët ditët e fundit në Veri, duhet të përballen me drejtësinë në mënyrë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të lira.

“Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesave e komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë asete të Republikës së Kosovës. Gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”, ka thënë Kurti.

“Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë, nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar, dhe të gjithë qytetarët, shumica shqiptare, komunitetet joshumicë, duhet të çlirohen prej elementeve të ndryshme që kanë ideologji ekstremiste dhe bëjnë sulme të dhunshme ndaj shtetit tonë dhe organeve të tij”, ka shtuar ai.

Sipas tij adresa ku duhet të bëhet trysnia sa i përket situatës së krijuar në Veri të Kosovës, është Beogradi që nuk po distancohet nga krimet e Slobodan Millosheviç’it dhe jo Prishtina që sipas tij, është kryeqyteti i shtetit më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

“Për tu bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina që është kryeqyteti i shtetit më demokratik e policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi i cili duke mos u distancuar nga krimet e Millosheviqit, dëshiron të kthehet prapa në kohë për ta ndryshuar rezultatin e luftës më 1999 që rezultoi me kapitullim të Serbisë dhe për ta ndryshuar edhe rezultatin e vitit 2008 kur ne shpallëm pavarësinë dhe morëm njohjet ndërkombëtare të botës demokratike”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore