Shëndet

Smogu, shkaktari kryesor i vdekjeve të parakohshme në Evropë


“Ndotja e ajrit është shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme në Evropë”.

Kështu e komenton Nicola Pirrone, drejtor i Institutit Cnr për Ndotjen e Ajrit, raportin e fundit nga Agjencia Evropiane e Mjedisit.

Sipas raportit, bëhet fjalë për 253 mijë viktima në Evropë në vitin 2021 për shkak të grimcave të imta PM2.5.

52 mijë të tjera për dioksidin e azotit dhe 22 mijë të shkaktuara nga ozoni.

“Shkaku nuk është i qartë, por ka studime që lidhin një incidencë më të lartë të Alzheimerit me jetesën në zona të ndotura urbane”, ka thënë ai.

Sipas tij, sa më të imëta të jenë grimcat, aq më thellë ato depërtojnë në mushkëri.

“Dëmi më i rëndë ka të bëjë me sistemin e frymëmarrjes, veçanërisht për ata që vuajnë nga astma, dhe sistemin e qarkullimit të gjakut”.

Por nuk ka vetëm grimca në ajër.

Në një zonë të ajrosur dobët gjejmë qindra substanca të emetuara nga aktivitetet industriale dhe bujqësore, si dhe nga trafiku, sipas tij.

“Vetë makinat lëshojnë jo vetëm tymra, por edhe metale të rënda për shkak të konsumit të frenave dhe gomave. Dëmi më i madh vjen nga kombinimi i ndotësve të ndryshëm. Grimcat e imëta nga trafiku mund të lidhen me një përbërje kimike nga një industri. I pari vepron si një kalë trojan, duke mbajtur të dytin brenda mushkërive”.

Si mund të shpëtohet?

“Shmangia e aktivitetit fizik në trafik. Kur shoh dikë që vrapon në anë të një rruge, më bën t’i shpjegoj se me çfarë po përballet”.

“Fëmijët dhe të moshuarit duhet të shmangin zonat dhe oraret më të ndotura, sepse janë një tjetër kategori rreziku”.

Pirrone ka treguar mes të tjerash se në një ndërtesë të vendosur në një zonë me trafik të plotë, dy ose tre katet e para janë më të rrezikuara.

“Dritaret duhet të mbyllen nëse makinat qarkullojnë. Horizontalisht ju duhet të lëvizni njëqind metra larg trafikut për të parë rënien e ndotjes me 70 për qind”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore