Aplikacione

Sky News Australia heq videot dezinformuese ndaj COVID-it


Kanali australian kabllor dhe satelitor, Sky News Australia, ka hequr dhjetëra video nga faqet e saj të internetit, pasi YouTube-i e pezulloi kanalin për përhapjen e dezinformimeve ndaj COVID-it.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se rrjeti televiziv në pronësi të Rupert Murdoch, është kritikuar shpesh për promovimin e komploteve dhe vendosjen në dyshim të urdhrave të shëndetit publik në transmetimet e tij.

Kështu, ditët e fundit ai ka hequr afro 30 video.

Megjithatë, kompania mëmë, News Corp Australia, i ka thënë mediave lokale se rrjeti kishte marrë një “vendim redaktues” për të hequr videot.

Kevin Rudd, ish-kryeministri australian, ishte ndër të parët që akuzoi kanalin javën e kaluar për “pastrim të heshtur të videove të dezinformimit inkriminues të COVID-19” nga platformat e tij.

Sipas “BBC”, videot kishin treguar nikoqirët e rrjetit përfshirë Alan Jones, Andrew Bolt dhe Rowan Dean duke shprehur pikëpamjet që janë hedhur poshtë nga autoritetet mjekësore globale.

Një prej tyre nxirrte Jones teksa vinte në dyshim legjitimitetin e pandemisë, duke thënë në mënyrë të gabuar se nuk ishte më keq se “ftohja e zakonshme”.

Kurse një tjetër ka promovuar një intervistë me një patolog duke përhapur dezinformime se COVID-i ishte një mashtrim.

Nga ana tjetër, “Guardian Australia”, ka raportuar se shumica e videove të hequra flisnin për ilaçe si ivermektina dhe hidroksilklorinë.

Të dy ilaçet kanë fituar vëmendje pasi u promovuan nga figura publike përfshirë edhe ish -presidentin amerikan, Donald Trump. Mirëpo, autoritetet mjekësore, përfshirë OBSH-në, kanë theksuar se provat për efektivitetin e tyre kundër COVID-it mbeten të paprovuara.

Prandaj dhe Rudd apo kritikë të tjerë i kanë përshkruar transmetimet e Sky News Australia si të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

Dhe kjo ka ardhur teksa miliona australianë mbeten në mbyllje për të parandaluar përhapjen e shpërthimeve të variantit Delta në Sydney dhe Melburn.

Përpos kësaj, veç më pak se një e katërta e australianëve janë të vaksinuar. Zhgënjimi për kufizimet ka çuar gjithashtu në disa protesta të mëdha kundër bllokimit.

Të premten e 13 gushtit, drejtuesit e Sky News Australia do të përballen me një hetim parlamentar, pasi YouTube-i më 1 gusht penalizoi mbulimin e kanalit.

Rrjeti e akuzoi gjigantin e teknologjisë për censurë, por ligjvënësit thanë se vendimi i platformës pasqyron shqetësime më të gjera.

Sarah Hanson-Young, senatorja e të gjelbërve, e cila po udhëheq hetimin, ka pyetur se pse rregullatorët e transmetimit nuk kishin vepruar të parët.

Rudd gjithashtu i ka shkruar Autoritetit Australian të Komunikimeve dhe Medias për të kërkuar kontroll.

“Teksa është jorealiste të besosh se ne ndonjëherë mund të fshijmë dezinformimet…është veçanërisht alarmante që kaq shumë nga kjo përmbajtje është hartuar dhe shpërndarë nga kompania më e madhe e mediave në vend, News Corporation, kryesisht përmes Sky News”, ka thënë ai.

Lidhur me Sky News Australia, ajo ka një shikueshmëri të vogël televizive në vend, por një prani të madhe në internet me ndjekës të rëndësishëm global.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore