Pajisje

Skuterët elektrikë të Bird-it janë gati


Një startup i skuterëve elektrikë, i quajtur Bird, planifikon që gjatë verës të bëhet i njohur edhe për publikun.

Agjencia e lajmeve, CNN, zbulon se Bird-i do të bashkohet me një kompani blerëse me qëllime të veçanta, Switchback ll Corporation, bashkëpunim që e vlerëson startup-in me 2.3 miliardë dollarë.

Pas këtij bashkimi me kompaninë blerëse, Bird-i do të ketë deri në 428 milionë dollarë shtesë në para për të financuar rritjen dhe operacionet.

Përgjatë njoftimit të marrëveshjes, kompanitë kanë deklaruar se do të kërkojnë miratimin e aksionerit të Switchback-ut dhe do të duhet të plotësojnë kushte të tjera mbylljeje, të cilat i përshkruan si të zakonshme.

Vitet e fundit, kompanitë blerëse me qëllime të veçanta janë bërë tejet të popullarizuara, pasi ofrojnë një mënyrë më të shpejtë për fillimin e bizneseve fillestare ndryshe nga procesi tradicional i ofertave publike fillestare.

Gjatë tre muajve të parë të vitit 2021, këto kompani kanë grumbulluar më shumë para se sa gjithë viti 2020.

Në shtator të vitit 2017, Bird-i nisi për herë të parë skuterët elektrikë, të cilët mund të merreshin përmes një aplikacioni në Santa Monica, në California.

Ndërsa, në vitin 2018, skuterët e kompanisë u bënë goxha të njohur falë zgjerimit të shpejt të Bird-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Asokohe zgjerimi i menjëhershëm u kritikua pasi, përpos alternativës në mbrojtje të mjedisit, përdoruesve të tyre nuk u ofrohej infrastruktura e nevojshme rrugore deri sa qytetet nisën të ndryshonin.

Këtë vit, Bird-i u përzgjodh si pjesë e programit të skuterëve në New York City, i cili do të nisë këtë verë dhe që përfshin ndërtimin e korsive të reja të biçikletave.

Edhe pse tregu amerikan pritet të jetë tregu më i madh i skuterëve elektrikë, kompania ka deklaruar se është zgjeruar në më shumë se 200 qytete në të gjithë botën dhe se ka ofruar më shumë se 95 milionë udhëtime.

Madje, Bird-i ka filluar që t’i shesë skuterët e vet elektrik direkt te klientët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore