Euro 2024

Skocia dhe Zvicra ndajnë nga një pikë


Është mbyllur në barazim 1 me 1 ndeshja mes Skocisë dhe Zvicrës, e vlefshme për raundin e dytë të fazës së grupeve në Euro 2024.

Një rezultat ky, i cili e afron shumë Zvicrën me kualifikimin dhe i lë shpresë Skocisë për të shpresuar. Nga ana tjetër, Gjermania e ka siguruar e para kualifikimin për fazën me eliminim të drejtpërdrejtë.

Skocia megjithatë gëzon një deficit të madh golash, pas humbjes së thellë 5 me 1 që pësoi ndaj gjermanëve në ndeshjen hapëse të Euro 2024.

Loja ka qenë tërësisht nën kontrollin e Zvicrës, por ishin skocezët, ata të cilët shënuan të parët.

Në minutën e 13-ë, falë një gabimi në mbrojtjen zvicerane, McTominay arriti të godiste në portë, por vendimtare ishte një ndërhyrje e pamenduar e Schar, i cili devijoi topin nga duart e Sommer dhe shënoi një autogol.

Skocia ka shënuar dy gola në Euro 2024 dhe të dy këta gola kanë qenë në fakt autogola nga ekipet kundërshtare.

Nga ana tjetër, Zvicra vijoi të kontrollonte lojën dhe në minutën e 26-ë gjeti rrugën e rrjetës falë një super goli nga Xherdan Shaqiri.

Ky i fundit përfitoi nga një top i kthyer gabimisht mbrapsht nga mbrojtja skoceze dhe goditi furimthi në trekëndëshin e majtë të portës. Asnjë shans për portierin skocez.

Zvicra shënoi gjithashtu një tjetër gol, i cili u anulua për pozicion jashtë loje.

Pjesa e dytë është shfaqur më e qetë, ku Zvicra kontrolloi lojën dhe sërish shënoi, por në pozicion jashtë loje. Teksa, ofensivat e herë pas hershme skoceze nuk ishin në lartësinë e duhur për të depërtuar mbrojtjen zvicerane.

Skocia ndeshjen e fundit në grup e luan me rivalët direktë, Hungarinë. Ndërsa, Zvicra, do të përballët me gjermanët e kualifikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore