Lajme

“Skifterë në Kosovë e pula në Beograd, asnjë fjalë për pasivizimin e shqiptarëve”


Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, ka thënë se deputeti i Kuvendit të Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, gjatë takimit me presidentin serb Alesandër Vuçiç, nuk kanë folur asnjë fjalë për pasivizimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

“Deputeti doraputhës Kamberi, i cili për herën e dytë mori mandatin e deputetit me mëshirën e Vuçiçit dhe ‘asistenti’ i tij lokal — kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, sot qenkan takuar me presidentin e Serbisë. Në këtë takim, ata që bëhen skifterë në Kosovë e pula në Beograd, nuk e paskan folur as edhe një fjalë për pasivizimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Turp”, shkroi Arifi në Facebook.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Shaip Kamberi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, njoftoi se në kuadër të konsultimeve për themelimin e qeverisë së re të Serbisë, takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku prezantoi një gamë të gjerë të kërkesave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës – Preshëve, Medvegjë dhe Bujanoc.

Takimi midis Kamberit dhe Vuçiçit nisi mëngjesin e së hënën, përkatësisht në orën 08:30 në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Serbisë në Beograd. Kamberi, në zgjedhjet e fundit parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë që u mbajtën më 17 dhjetor 2023, fitoi një ulëse në legjislativin serb nën slloganin “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”.

E deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë ripërsëriti se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve nuk janë të interesuar për asnjë pozitë në nivel qëndror, por konsideroi se avancimi i të drejtave të shqiptarëve që banojnë kryesisht në pjesën jugore të Serbisë është interesi i vetëm dhe ai duhet të fillojë nga institucionet shtetërore të nivelit lokal e rajonal.

“Qasja e shtetit ndaj shqiptarëve duhet të ndryshojë”, shkroi Kamberi, derisa listoi një varg çështjesh që, sipas tij, duhet të jenë prioritet i Qeverisë së Serbisë nën drejtimin e Partisë Progresive Serbe (SNS), duke filluar nga zgjidhja urgjente e rastit të mjekëve të diskriminuar në Preshevë, deri te integrimi i shqiptarëve të kualifikuar në policinë shtetërore serbe.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor, por rezultatet sugjerojnë se presidenti serb do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin, ndërsa një pjesë e madhe e komunitetit ndërkombëtar bënë thirrje për hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë e raportuara, veçanërisht mbi votuesit ilegalë të ardhur nga pjesë të ndryshme të rajonit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore