Lajme

Skenari gjerman post-përmbytje, shkatërrues


Mbi 200 persona kanë humbur jetën. Shumë të tjerë janë të zhdukur, ndërsa pasojat e përmbytjeve masive – thuajse apokaliptike – në Gjermani, po bëhen gjithnjë e më të mëdha nga dita në ditë.

Të plagosur  janë rreth 700 persona deri tani.

Dilema është edhe ajo e pikëpyetjeve të ngritura: A mund të shmangej një katastrofë e tillë?

Vetëm në rajonin Rhineland-Palatine kanë vdekur 196 persona. 46 të tjerë kanë mbetur të vrarë në fqinjët e North Rhine-Westphalia-s. Dy të vdekur janë shënuar edhe në Bavari.

Por, dëmet në njerëz janë vetëm një prej aspekteve të kësaj tragjedie mjedisore.

Dëmtime kolosale në infrastrukturë po pikasen gjithnjë e më shumë. Kostoja reale është ende larg përllogaritjes. Janë qindra të humburit, për të cilët ende po kërkohet.

Kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, ka qenë ndër zërat që ka thirrur dëshpërimisht për ndryshime në ligjet mjedisore. Por, ajo mban mbi supe edhe kosto të kritikëve, të cilët pretendojnë se më shumë mund të bëhej.

“Sapo të bëjmë operacionet e nevojshme dhe emergjente, do të shohim edhe arsyet e kësaj çfarë ndodhi”. Kështu do të deklaronte ministri i Ekonomisë në Gjermani, Peter Altmaier, për të përditshmen “Bild”.

Më tej, ai nënvizoi se “nuk është koha për të drejtuar gishtin tek të tjerët, por për të vepruar”.

Veprim, i cili sipas të gjelbërve, duhet të ishte ndërmarrë me kohë. Pikërisht këta të fundit, “po përfitojnë” nga situata, për t’i bërë gjermanët të kuptojnë, se pse është me rëndësi ardhja e tyre në pushtet.

Por, katastrofa është ende e freskët. Ndaj, duhet ende të ketë një rikuperim i gjendjes së gjermanëve në zonat e dëmtuara. Më pas, të vijohet me veprime konkrete, për dëmet, bilanci i të cilave ende nuk dihet.

Vetëm një gjë është e sigurt: Skenari gjerman post-përmbytje është tërësisht shkatërrues.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore