Pajisje

Skanim të fytyrës për të mbikëqyrur gazetarët në një provincë kineze


Në Henan, provincën kineze, po ndërtohet një sistem mbikëqyrjeje me teknologji të skanimit të fytyrës, i cili mund të zbulojë gazetarët dhe “njerëzit e tjerë me probleme”.

Sipas dokumenteve të para nga agjencia e lajmeve, “BBC”, sistemi i parashikuar pritet t’i klasifikojë gazetarët në një sistem “semafori”, me ngjyrat që e karakterizojnë.

Megjithatë, Byroja e Sigurisë Publike në Henan nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.

Dokumentet përshkruajnë gjithashtu planet për të vëzhguar “njerëz të tjerë me probleme”, duke përfshirë studentë të huaj dhe gra emigrante.

‘Bibliotekat tematike’

“BBC” tregon se dokumentet janë pjesë e një procesi tenderimi, duke inkurajuar kompanitë kineze të konkurrojnë për një kontratë për ndërtimin e sistemit të ri.

Ai është shpallur që më 29 korrik dhe tanimë ka një fitues, i cili është NeuSoft.

Lidhur me sistemin, ai përfshin teknologjinë e njohjes së fytyrës të ndërlidhur me mijëra kamera në Henan, për të njoftuar autoritetet kur gjendet një “person problematik”.

Ata që do të kategorizohen si të tillë, do të përfshihen në “biblioteka tematike”, në një bazë të dhënash ekzistuese të informacionit dhe imazheve të njerëzve në provincë.

Gjithashtu sistemi do të lidhet edhe me bazën e të dhënave kombëtare të Kinës.

‘Shqetësimi kryesor’

“Propozimi paraprak është që të klasifikohen gazetarët në tre nivele. Njerëzit e shënuar me të kuqe janë shqetësim kryesor. Niveli i dytë, i shënuar me të verdhë, janë njerëz me shqetësim të përgjithshëm”, shkruhet në dokumentin e parë nga “BBC”.

Kurse niveli i tretë, “i shënuar me të gjelbër”, është për gazetarët që nuk janë “të dëmshëm”.

Dhe nëse dy grupimet e para do të kenë akuza të mëparshme penale, do të aktivizohet një alarm.

Përveç këtyre, sistemi do të vlerësojë studentët e huaj dhe do t’i ndajë ata në tre kategori rreziku, ngjashëm si me gazetarët.

“Vlerësimi i sigurisë bëhet duke u fokusuar në frekuentimin e përditshëm të studentëve të huaj, rezultatet e provimeve dhe pajtueshmërinë me disiplinën shkollore”, shkruhet në dokumente.

Madje, do të jenë vetë shkollat ​​që do të duhet të njoftojë autoritetet për shqetësimet e sigurisë së atyre nxënësve, të cilët më pas do të gjurmohen.

Dokumentet, tregon “BBC”, shfaqin një dëshirë që sistemi të përmbajë informacione të marra nga telefonat celularë, mediat sociale, nga detajet e automjetit, qëndrimet në hotel, biletat e udhëtimit dhe nga fotot.

Përveç gazetarëve dhe studentëve, në fokus priten të jenë edhe gratë emigrante, jo-kineze, të cilat nuk kanë të drejtë të jetojnë në Kinë.

Kjo pasi një numër i madh i tyre hyjnë në vend për të gjetur punë, kurse një pjesë tjetër janë trafikuar nga vendet fqinje.

Kështu, sistemi do të “lidhej” me Byronë Kombëtare të Emigracionit, Ministrinë e Sigurisë Publike dhe policinë e Henan-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore