Shqipëria

Skandali te Onkologjiku – Prokuroria e Tiranës shpall moskompetencë, dosja i kalon SPAK


Prokuroria e Tiranës raportohet se ka shpallur moskompetencë për sa i përket hetimit për skandalin te Onkologiku.

Dosja thuhet se është transferuar ditët e fundit në Prokurorinë e Posaçme.

Prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj, disa ditë më parë, ka vendosur të shpallë moskompetencën dhe dosjen ta transferojë në SPAK, pasi dyshohet për korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal.

Prokuroria e Tiranës zbërtheu skemën kriminale se si mjekët dhe stafi i Spitalit Onkologjik bënin Pazar dhe drejtonin drejt privatit të sëmurët me kancer.

Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim.

Këta të fundit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ku pacientët e sëmurë me kancer dërgoheshin për trajtim te privati.

Duke qenë të punësuar pranë Spitalit Onkologjik në QSUT, ata nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i adresonin pacientët në klinika private.

Disa ditë më parë, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pezulloi nga detyra mjekët e akuzuar për shkeljet në Spitalin Onkologjik, pas masave të dhëna nga Gjykata e Tiranës.

Mjekët e pezulluar janë Alketa Pere Ymeri, Brikena Qirjazi, Edmond Gashi dhe koordinatori Emiljano Lela.

Ndërkaq Gjykata la në arrest shtëpie mjekun Edmond Gashin dhe administratorin e farmacisë Florian Marku.

Për Alketa Pere Ymerin u dha masa detyrim paraqitje.

E njëjta masë u dha edhe për Brikena Qirjazi zv.drejtoreshë e QSUT, Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut, Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë, Halil Gashi administrator i klinikës Megis.

Sipas hetimit të kryer nga Prokuroria dyshohet se mjekët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, specialistët dhe administratorin e spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT.

Pas finalizimit me sukses të operacionit “Rrugëtimi”, në kuadër të të cilit u ndaluan 16 shtetas gjatë sekuestrimit të barnave personave të ndaluar, u zbulua se disa prej barnave janë medikamente për përdorim spitalor, specifikisht në departamentin e onkologjisë.

Veprimet hetimore të mëtejshme në bashkëpunim me Seksionin e Luftës Kundër krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë, si dhe veprimet proaktive duke përfshirë përgjimet telefonike, vëzhgimet në terren, blerjet e simuluara, ashtu edhe me veprime te hapura hetimore, zbuluan rastet e pacientëve të ndryshëm, të cilëve nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe drejtoheshin në klinika private.

Po kështu, nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore rezultoi se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Që të përdoret Kobalto Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vjenës ose Agjencia Ndërkombëtare që thirret IEAHEA. Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike.

Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore