Lajme

Skandali i shtëpive të grabitura të Sirisë


Ishte një telefonatë e papritur nga një oficer policie, i cili i tha se ishte thirrur në gjykatë në Damask, kur Abdullah, 31 vjeç, zbuloi se shtëpia e tij po vidhej.

Atij iu desh të braktiste shtëpinë e tij në vitin 2012, kur u largua nga Siria gjatë një goditjeje të sigurisë ndaj aktivistëve anti-qeveritar.

Tani, atij i thuhej t’i shpjegonte gjykatave se nuk ia kishte transferuar shtëpinë një të afërmi të largët.

I afërmi kishte pretenduar në mënyrë të rreme se Abdullahu kishte nënshkruar një marrëveshje për shitjen dhe ishte paguar.

Në një lëvizje të llogaritur, ata ishin të përgatitur të përdornin gjykatat për të zbatuar mashtrimin, duke e ditur se Abdullahu nuk mund të kthehej në shtëpi për të mbrojtur çështjen e tij.

Dokumenti i falsifikuar është një nga shumë që përdoren nga rrjetet e korruptuara që përfitojnë nga kaosi i luftës 12-vjeçare të vendit duke zhveshur pronat nga refugjatët.

Në një partneritet raportimi me Gazetarinë Hulumtuese Siriane për Përgjegjësi (SIRAJ) dhe jofitimprurësen The Day After, The Guardian ka folur me viktimat dhe burimet ligjore që thonë se vjedhjet janë një pengesë për refugjatët që kthehen në Siri.

“Unë jetoj si refugjat në Turqi dhe nuk e di, nëse një ditë regjimi sirian tërhiqet, si do të kthehem në Siri, ku do të jetoj? A do të mund ta kthej shtëpinë time apo jo?”, ka thënë Abdullahu.

“Vjedhja e shtëpisë do të thotë të humbasësh gjithçka, siç mora nga babai im, i cili vdiq në bodrumet e Inteligjencës së Forcave Ajrore, pas arrestimit të tij në vitin 2013”.

Ai i frikësohet po ashtu torturës në Siri për shkak të rolit të tij në dokumentimin e dhunës së regjimit kundër protestuesve.

Por të jetosh si refugjat jashtë vendit është gjithashtu e pasigurt, me shumë vende që strehojnë sirianët duke u rritur armiqësorë ndaj tyre, ose duke zhvilluar marrëdhënie me regjimin e Presidentit Bashar al-Assad.

Në Turqi, refugjatët janë deportuar dhe politikanët kanë kërcënuar se do t’i kthejnë të gjithë brenda disa vitesh, ndërsa kthimet kanë ndodhur në Liban dhe Jordani dhe Danimarka po përgatitet ta bëjë këtë.

Mungesa e të dhënave të centralizuara gjyqësore do të thotë se nuk ka të dhëna për shkallën e vjedhjeve të pronave në Siri, por një avokat ka treguar se ai zbuloi 125 raste të shtëpive të vjedhura vetëm në Damask në gjysmën e parë të vitit 2022.

Ish-avokati Abdul Nasser Hoshan ka thënë se hetimet e tij kishin zbuluar 20 rrjete në qytete të tjera, duke përfshirë Alepo dhe Hama, ku shumica e popullsisë u zhvendos nga luftimet.

Rrjetet mund të kenë deri në 50 anëtarë, nga avokatë dhe gjyqtarë e deri te zyrtarë ushtarakë. Ata gjejnë shtëpi bosh, falsifikojnë dokumente shitjeje dhe i detyrojnë ato nëpër gjykata pa dijeninë e pronarëve.

Abdullah ka treguar se i afërmi i tij kishte lidhje me Divizionin e Katërt, një njësi e ushtrisë e drejtuar nga vëllai i Asadit, Maher al-Assad.

“Unë u përpoqa të caktoj një avokat për të ndjekur rastin, por ata refuzuan sepse isha i kërkuar nga forcat e sigurisë”, ka treguar Abdullah.

Edhe negocimi me të afërmin dështoi dhe ndërmjetësit përfunduan duke u kërcënuar se do të raportoheshin për bashkëpunim me një armik të qeverisë.

Hoshan fajësoi zyrtarët ushtarakë, në veçanti, Divizionin e Katërt të Maher al-Asad.

“Është e lidhur me gjyqtarët dhe avokatët, ka një rol në emërimin e tyre dhe për këtë arsye ekziston një partneritet mes Divizionit të Katërt dhe rrjeteve të mashtrimit”, ka shpjeguar Hoshan.

Abu Hassan, një biznesmen nga qyteti sirian Jdaidet al-Wadi u largua nga shtëpia e tij në vitin 2014, duke lejuar fillimisht një familje të zhvendosur të jetonte atje pa qira.

Më vonë, fqinjët i thanë se familja ishte zhvendosur, duke u zëvendësuar nga njerëz të rinj.

“Më thanë se ishte një oficer i Divizionit të Katërt. Nuk e kisha idenë se çfarë të bëja”, ka thënë Hassan.

Ai bëri të mundur që djali i tij të udhëtonte nga Turqia në Damask për të hetuar, pasi i dha ryshfet për të lënë shërbimin ushtarak. U zbulua se familja e oficerit kishte shkuar te pronarët e mëparshëm të shtëpisë dhe i kishte detyruar të nënshkruanin një dokument shitje.

“Unë iu nënshtrova një mashtrimi sistematik, vendi është në kaos dhe gjithçka po ndodh me forcën e armëve, dhe me pushtet. Dhe sigurisht një oficer në Divizionin e Katërt me siguri do të jetë në gjendje të bëjë çfarë të dojë, sepse ai është një oficer i fortë në ushtri dhe ka të gjithë fuqinë. Nëse ai është në divizionin e katërt, ai do të jetë një autoritet absolut”.

Gjykatësi Anwar Majanni, i cili tani është këshilltar ligjor i The Day After, ka thënë se rrjetet e falsifikimit kanë lulëzuar gjatë luftës, të ndihmuar nga shumë pronarë të shtëpive që humbën dokumentet e tyre, ndërsa ndërtesat zyrtare, të dhënat e gjykatës dhe dokumentet e pronësisë janë shkatërruar.

Po ashtu edhe ekonomia e përkeqësuar e Sirisë ka ndihmuar në përshpejtimin e vjedhjeve, me zyrtarët me të ardhura të ulëta të tunduar nga ryshfeti.

Iman, mjeke, u largua nga Siria në vitin 2017, duke i dhënë me qira shtëpinë e saj një nëpunësi civil. Që atëherë ai ka pohuar se ajo pranoi t’ia shiste atë, duke përdorur një autorizim të falsifikuar të miratuar nga konsullata siriane në Stamboll.

“Nuk kam ndonjë shpresë të vërtetë për ta rikthyer atë. Përgjegjësia është e gjyqësorit të korruptuar dhe konsullatës që e bëri këtë, që e nxori dokumentin pa qenë edhe ne të pranishëm. Është për para, nga njerëz që kanë përdorur lidhjet e tyre”, ka treguar ajo.

Me luftën tashmë në vitin e saj të 13-të, qeveria ka punuar për të normalizuar pozitën ndërkombëtare, duke zhvilluar bisedime me fqinjët si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.

Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, së fundi nënshkroi një letër me figura të opozitës duke i kërkuar Presidentit Joe Biden të ndalojë ndryshimin në marrëdhëniet për shkak të mungesës së reformës nga qeveria e Assad-it.

Kurse Human Rights Watch ka zbuluar se Assad ka vazhduar të përdorë municione të ndaluara dhe devijon ndihmën humanitare.

Ndërkohë që luftimet vlerësohet se kanë shkatërruar rreth një të tretën e shtëpive, regjimi ka sekuestruar ose shkatërruar shtëpi në mungesë të pronarëve të tyre.

Gjysma e popullsisë së Sirisë janë të zhvendosur dhe më shumë se 5 milionë njerëz janë refugjatë. Ata kanë frikë të kthehen derisa Assad të mbetet në pushtet. Tani ata pyesin se çfarë do t’u mbetet.

“Konfiskimi i shtëpisë më bëri të humbas gjithçka”, ka thënë Abdullah.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore