Lajme

Skandali i abuzimit seksual të Johnny Kitagawa, shefja e agjencisë J-pop jep dorëheqjen


Shefja e agjencisë më të madhe japoneze të talenteve të muzikës pop ka dhënë dorëheqjen.

Më në fund ajo ka pranuar abuzimin seksual të kryer nga themeluesi i ndjerë i agjencisë, Johnny Kitagawa.

Julie Fujishima ka dhënë dorëheqjen nga Johnny and Associates gjatë një falje publike për viktimat e xhaxhait të saj.

Sakaq, largimi i saj vjen një javë pasi hetuesit zbuluan se Kitagawa kishte abuzuar “gjerësisht” me anëtarët e rinj në agjencinë e tij gjatë një karriere prej gjashtë dekadash.

Ai vdiq në vitin 2019, duke e mohuar gjithmonë keqbërjen. Ai nuk u përball kurrë me akuza.

Mbesa e tij dhe shefja ekzekutive në largim tanimë ka pranuar abuzimin për herë të parë.

“Si vetë agjencia dhe unë vetë si person e kuptojmë se ka ndodhur abuzimi seksual nga Johnny Kitagawa”.

“I kërkoj falje viktimave nga thellësia e zemrës”.

Kitagawa ishte padyshim figura më me ndikim në industrinë e argëtimit të Japonisë.

Agjencia e tij ka mbajtur thuajse monopolin në grupet japoneze të djemve për dekada.

Thashethemet dhe disa raportime mediatike për abuzimin e tij ishin të njohura prej vitesh, por nuk u mor asnjë masë konkrete.

Për dekada, shumica e mediave kryesore japoneze nuk i mbuluan akuzat, duke nxitur akuza për një mbulim të industrisë.

Në fillim të këtij viti, një dokumentar i BBC-së për abuzimin e Kitagawa-s u transmetua, duke ndezur diskutime në të gjithë Japoninë dhe duke bërë thirrje për një hetim të plotë.

Kjo bëri që më shumë viktima të paraqiteshin, duke përfshirë yllin e J-pop Kauan Okamato, i cili ka treguar se ishte abuzuar seksualisht nga Kitagawa që në moshën 15-vjeçare.

Në raportin përfundimtar nga hetuesit e pavarur javën e kaluar, ata kanë thënë se menaxhimi i familjes në agjenci kishte bërë që abuzimi të vazhdonte për dekada dhe se Fujishima – një drejtuese për një kohë të gjatë në kompani – nuk arriti të hetonte akuzat pavarësisht njohurive të saj për to.

Në maj, ajo kishte shprehur keqardhjen që ishte prekur nga “anormaliteti” i funksionimit të agjencisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore