Shqipëria

S’ka zyrë të katërt, por mandat të katërt për Edi Ramën


Edi Rama do ta mbyllë karrierën e tij politike në zyrën e kryeministrit. Kjo është e sigurt.

Vetëm se jo kaq shpejt…

Një intervistë e kreut më jetëgjatë të Qeverisë shqiptare për revistën Newsbomb ka ngjallur edhe një keqkuptim shumë të madh mediatik: Atë se Rama nuk do ta ketë një mandat të katërt.

Por situata nuk është aspak e tillë, tej keqinterpretimit të bërë nga portale të ndryshme.

Duke shkëputur disa pasazhe, është hamendësuar se Rama nuk do të vijojë të jetë kryeministër pas këtij mandati.

Ai përgjigjet: Mandati i tretë do të iki kur të vija dita e fundit në shtator të 2025-ës, e deri atëherë do të shihni plot punë e vepra të mira që do të marrin jetë. E kam të pamundur ta besoj se një zyrë e katërt në këtë karrierë do të më joshë dot më shumë se sa atelieja ime, ku kam shumë ide e fantazma të imagjinatës sime që më kërkojnë t’i nxjerr nga vetja dhe t’i sjell në jetë përmes syrit e dorës.

Kjo është interpretuar si lamtumira nga pozita e lartë.

Në të vërtetë, është veçse një pohim që Rama vetë e ka shtjelluar më parë. Ka të bëjë me faktin se ai nuk do të kërkojë as zyrën e Presidentit të Republikës, apo mandej as ndonjë pozitë të lartë në zyrat evropiane dhe strukturat e ndryshme kontinentale, nëse atij i ofrohen.

Kjo, pasi jetën e tretë, ai e ka thënë se do t’ia kushtojë artit.

Rama në të vërtetë flet për një zyrë të katërt dhe jo mandat kryeministror.

Ky i fundit është thjesht formalitet dhe projektimi Rama 4 nën mandatin 2025-2029 mbetet për t’u shtjelluar vetëm de jure.

Fillimisht në zyrën e Ministrisë së Kulturës, më pas Bashkisë Tiranë e më tutje Kryeministrisë.

Këto janë tre zyrat dhe një e katërt tjetër nuk do të jetë realiteti i tij.

Vetë e shpjegon më së miri Rama, në të njëjtën intervistë: Kjo e kryeministrit është zyra e tretë dhe e fundit e karrierës sime publike në politikë, tjetra do të jetë atelieja e “rrobaqepësisë” së ëndrrave të mia artistike, ku dua ta mbyll udhëtimin tim në këtë jetë me bindjen se çfarë mu dha nga Zoti e nga ata që më besuan, e ktheva sa dita e sa munda, pa u kursyer në asgjë dhe për asgjë, e me urimin që lashë mbrapa një kujtim të mirë.

Keqkuptimi nuk ka as pse të jetë aq i madh, kur leximi është më se i qartë.

Po, Edi Rama do ta mbyllë shërbimin e tij politik në zyrën e kryeministrit, por jo përpara vitit 2029 dhe mandatit të tij të katërt…nëse natyra nuk e ndalon…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore