Kosova

S’ka vaksina për festa e fundjavë në Kosovë


Vaksinimi në sallën “1 tetori”

Të martën salla “1 tetori” në Prishtinë, ku po bëhet vaksinimi i qytetarëve të Kosovës kundër COVID-19, qëndroi e mbyllur për shkak të festës së Kurban Bajramit.

Sipas Ministria e Shëndetësisë, “qytetarët që kanë pasur terminë për vaksinim këtë të martë mund të imunizohen të mërkurën”.

Por, ekipet e vaksinimit përveç festave po pushojnë edhe gjatë ditëve të vikendit edhe pse Qeveria e Kosovës, pati njoftuar më 15 qershor se do të fillojë vaksinimi masiv.

Sipas infektologut Hamdi Ramadani, vaksinimi duhet të jetë program masiv.

Ai theksoi se “Kosova nuk e ka luksin që të vonohet në këtë proces, pasi edhe ashtu jemi mbrapa krahasuar me vendet e tjera të Rajonit”.

“Vaksinimi duhet të jetë program masiv dhe kombëtar i pandalshëm, por se ekipet e Kosovës nuk po punojnë, nuk e di se për çfarë arsyeje”, tha Ramadani për Albanian Post.

“Plani i vaksinimit që të vaksinohet afër 500 mijë persona brenda muajit, nuk është duke u realizuar”.

Ndërkaq që prej fillimit të procesit të vaksinimit në Kosovë, numri i personave të vaksinuar me të dyja dozat e vaksinave është 67,578, ndërsa shifra totale e vaksinave të administruara është 260,955.

Në 24 orët e fundit, 6,361 persona janë vaksinuar kundër Coronavirsuit.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para të infektimit, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë regjistruar 107,859 pacientë me këtë virus.

Prej tyre 2,264 kanë vdekur.

Më 29 qershor, Kosova regjistroi dy raste me variantin Delta të Coronavirusit, variant ky që po përhapet me shpejtësi në mbarë botën. Rezultatet e testeve për këtë variant ishin bërë në Berlin.

Për dallim nga Kosova, shtetet fqinje, siç janë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina vazhdimisht përcjellin përhapjen e variantit Delta.

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në tetorin e vitit të kaluar në Indi, ka shkallë më të lartë të infektimit për 50-60 për qind më e lartë se variantet tjera, duke prekur edhe moshat më të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore