S’ka takim Kurti-Vuçiç në Bruskel

SHFLETO

Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiç

 

Dini Fetahu
26.06.2024 18:33
Loading Icons...

Ndonëse ishte paralajmëruar, të mërkurën nuk është mbajtur takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Këtë e ka konfirmuar presidenti serb Vuçiç, në një prononcim për gazetarë nga Brukseli, pas takimeve që ka pasur me kryediplomatin evropian, Josep Borrell, i cili ka qenë i shoqëruar nga i Dërguari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Nuk ka pasur takim me Kurtin sepse Kurti nuk ka dashur apo nuk ka guxuar – pyeteni atë – të më takoj dhe të bisedojmë. Besoj se do të mësoni më shumë për këtë nga evropianët”, tha Vuçiç, transmeton “Radio Evropa e Lirë”.

Ai theksoi se është kthyer tri herë në takimin me Borrell-in dhe Lajçak-un, të cilët ia kanë përcjellë mesazhet e Kurtit, të cilave ai i është përgjigjur.

Sa i përket takimeve me ndërmjetësit evropianë, kreu i Serbisë i vlerësoi korrekte.

“Ai nuk ka dashur të më takojë”, potencoi Vuçiç kur u pyet nga gazetaret se pse nuk pati një takim të përbashkët, duke shtuar se Kurti ka thënë se “nuk është gati për një takim me Vuçiç-in”.

Vuçiç pohoi se gjatë takimeve dypalëshe është folur për gjithçka që ka të bëjë me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve, teksa i ka konsideruar “të suksesshme” takimet në Bruksel.

Ai shtoi se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, do të vazhdojnë bisedimet javën e ardhshme, “të martën ose të mërkurën”.

Ndryshe, në Bruksel, të mërkurën, janë mbajtur, dy raunde të takimeve bilaterale mes përfaqësuesve të BE-së, Borrell e Lajçak, fillimisht me Kurtin dhe më pas me Vuçiç-in.

Ishte paralajmëruar që do të kishte edhe takim trelateral: Kurti-Vuçiç-BE, por një i tillë nuk ndodhi.

Ndërsa, Borrell, në një konferencë për media, para fillimit të takimeve bilaterale, deklaroi se zotimet që palët kanë marrë përsipër nuk do të ndryshojnë, pavarësisht se kush është në krye të institucioneve të BE-së.

Borrell, i cili është në fund të mandatit si shef i diplomacisë evropiane, theksoi se takimi midis Kurtit dhe Vuçiç-it, do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Takimi i fundit mes Kurtit e Vuçiç-it, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.