Lajme

“S’ka rëndësi sa jam rrezitur unë, me rëndësi ligjet që kaluam” – Kurti për seancën parlamentare


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka falënderuar deputetet e Kuvendit të Kosovës, për votimin e projektligjit i cili mundëson themelimin e “Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme”.

Kreu i Qeverisë sqaroi se “ky Projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”.

Gjithashtu, ai u shpreh se miratimi i Projekt-kodit të Procedurës Penale do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive.

“Ndërkaq Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, i miratuar sot, parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, përmes së cilit do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm nga këto kategori”, tha ai mes tjerash.

Kuvendi i Kosovës.

Kryeministri nuk harroi të komentojë “ngacmimet” nga opozita për vizitën e tij në Greqi, duke thënë se “ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë”.

“Ndërkohë, procesi i vettingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, përfundoi ai.

Më 14 korrik Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Projektligji, pas një debati mes pozitës dhe opozitës, ka marrë 58 vota pro nga 61 veta sa kanë votuar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndryshe nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka votuar pro, por ka abstenuar.

Kuvendi ka votuar në lexim të dytë edhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave.

Projektligji ka marrë 60 vota pro, me kryetarin e Kuvendit që sërish ka abstenuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore