“S’ka nevojë për panik, rezerva të miellit ka”

SHFLETO

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

 

Ridvan Emini
26.02.2022 18:29
Loading Icons...

Ka rezerva të mjaftueshme të miellit dhe se nuk ka nevojë për panik ka thënë Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, i Republikës së Kosovës, Hekuran Murati, në një konferencë të përbashkët për media me ministren e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Ai tutje ka deklaruar se gjatë ditës së shtunë janë parë qytetarë duke pritur në radhë para mullinjve.

“Synimi ynë si qeveri është që të njoftojmë qytetarët se nuk ka nevojë për panik, meqenëse sot gjatë ditës kemi parë raste pranë disa mullive që ka pasur kolona të gjata, që na kujtojnë kohën e marsit dhe prillit të vitit 2020, kur ngjashëm ishte përhapur një panik se do të mbeteshin pa miell apo pa bukë”.

“Edhe atëherë kemi bërë thirrje që të mos ketë sjellje të tilla. Nuk ka nevojë për panik, jemi të furnizuar mjaftueshëm, dhe furnizohemi vazhdimisht”, ka thënë ai.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, i Republikës së Kosovës, Hekuran Murati

“Kemi siguruar edhe kanale të tjera pra në rast të nevojës, të mos krijohet një presion i tillë asisoj që të gjithë të vrapojnë në rafte të supermarketeve, duke menduar që nuk do të ketë miell”.

Tutje Murati ka siguruar qytetaret që nuk ka nevoje për një sjellje të tillë “meqenëse jemi mirë të furnizuar dhe kemi siguruar edhe kanale të tjera”.

Ai tha se para disa ditëve që kanë ndarë edhe 10 milionë euro për t’u furnizuar me rezerva shtetërore.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka deklaruar se Kosova ka rezerva të grurit për tre deri në gjashtë muaj, duke shtuar se këto konstatime kanë ardhur pas takimeve me mullisët e vendit.

“Në takim me mullisët na kanë siguruar që Kosova ka miell edhe për  tre deri në gjashtë muaj. Madje edhe sot na thanë se Kosova nuk ka nevojë për panik”, është shprehur ajo.

“Kemi edhe vende mike që sigurojnë se do ta ndihmojnë Kosovën me furnizime shtesë nëse ka nevojë pas disa muajsh”, tha më tutje ajo.

Ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.