Lajme

S’ka më bashkëpunim Kinë-SHBA pas tensioneve për Tajvanin


Kina do të ndalojë bashkëveprimin me SHBA-të në të gjitha çështjet me rëndësi, pas tensioneve mes vendeve, të shkaktuara prej vizitës së kryekongresmenes amerikane, Nancy Pelosi, në Tajvan.

Po ashtu, nga Pekini është bërë me dije se do të ketë sanksione ndaj Pelosit dhe familjes së saj, duke qenë se ajo ka shkelur integritetin territorial të Kinës me vizitën e saj në Tajvan, gjithnjë sipas pretendimeve kineze.

Vetë ishulli i Tajvanit, e sheh veten si një shtet i pavarur nga Kina, teksa këta të fundit, e cilësojnë si territor të tyrin.

Ishte një njoftim për shtyp nga Ministria e Jashtme kineze, dokumenti i cili bëri me dije vendimet e reja të diplomacisë së Pekinit, duke hequr dorë nga bashkëpunimi në fusha si ngrohja globale, lufta ndaj krimit apo bisedimet ushtarake.

Nga pala amerikane, ka pasur përgjigje të menjëhershme mbi çështjen, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe për të mos ndërmarrë vendime të nxituara.

Nga vetë pala kineze nuk ka pasur më reagim, duke treguar kështu se qëndrimi i Pekinit është i qartë dhe nuk do të ketë rishikim të vendimit.

Washingtoni e sheh si thelbësor status quo-në e Tajvanit dhe shpesh është deklaruar se Amerika e mbështet të drejtën për të vendosur demokratikisht në ishull.

Ndaj, asnjë vendim i njëanshëm nuk do t’i njihet Kinës, nëse kjo e fundit vendos të mësyjë ishullin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë gjithashtu me dije se SHBA-të janë të gatshme të ndërhyjnë ushtarakisht për Tajvanin nëse është e nevojshme.

Diçka e tillë gjithsesi, ende nuk kërkohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore