Lajme

S’ka kuorum, shtyhet votimi i Rezolutës së opozitës kundër shtrenjtimit të energjisë


Kuvendi i Kosovës

As në seancën e cila po mbahet sot (e mërkure) s’ka pasur kuorum për ta votuar Rezolutën me të cilën kërkohet që të mos ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Në votim kanë marrë pjesë 30 deputetë, ndërsa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) s’ka marrë pjesë në seancë, por që deputetët e këtij subjekti kanë ardhur në seancë vetëm pas dështimit të kësaj pike.

Kjo pikë është shtyrë për një seancë të radhës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë lëshuar sallën në vazhdimin e seancës plenare që po mbahet në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri, ish ministri i Shëndetësisë, deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja dhe Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri kanë thënë se është e pakuptimtë  që të qëndrojnë edhe më tutje në sallë, teksa akuzuan pushtetin për mos-votim të draft-Rezolutës kundër rritjes së çmimit të energjisë dhe diskutimin për të.

“Përfaqësuesit e qytetarëve që janë në këtë Kuvend. Do të duhej të kenë qëndrim për këtë çështje dhe ne si parti opozitare e deklaruam votën tonë”.

Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri

“Ndërsa mazhoranca abstenoi nga votimi që është e papranuar sepse këtu shihet që kemi një koordinim të mirë të këtij grupi parlamentar me kryeministrin Kurti dhe ZRRE-n”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij kjo është edhe arsyeja se pse grupi parlamentar i PDK-së nuk do të vazhdoj të qëndrojë në seancë, pasi që nuk ka çështje më të rëndësishme për qytetarët sesa hedhja poshtë e këtyre tarifave.

“Hyrja në fuqi e këtyre tarifave, për qytetarët është dëm i madh. Gjithë kjo situatë që është krijuar si rezultat i ngritjes së çmimeve të produkteve, naftës e tash edhe të energjisë elektrike, besoni se po e bëjnë jetën të papërballueshme për qytetarët e Kosovës”.

“Ju vazhdoni me rëndu jetën e qytetarëve, e ne nuk mund të bëhemi pjesë e kësaj maskarade”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se grupi parlamentar i LVV-së tregoi se është pro shtrenjtimit enorm të energjisë elektrike.

“Edhe pjesëmarrja jonë nuk tregon qoftë edhe në cilësinë e mbarëvajtjes se punë së Kuvendit sepse s’ka temë më të madh sesa tema e energjisë dhe pandemisë, për ju nuk janë interes ndërsa ne do të përdorim të gjithë mekanizmat demokratik që parandalojnë varfërinë e popullit nga papërgjegjësia e kësaj qeverie populiste”, ka deklaruar ai.

Armend Zemaj, LDK

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë thirrje që të diskutojnë lidhur me krizën energjetike.

“Është pa përgjegjësi totale, dhe ikje nga besimi qytetar është një situatë e rëndë. Thërras që të ulemi të behet një konsensus, për ndryshe, ju si Qeveri ja pafshi qyken e hajrit rritjes së çmimit të energjisë”, ka thënë Tahiri.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri

Por, ushtruesja e detyrës së Shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, është përpjekur të arsyetohet duke thënë se Rezoluta e opozitës nuk u është shpërndarë deputetëve dhe prandaj nuk kanë marrë pjesë fare në votim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore