Shqipëria

Vëllavrasja – Çfarë ka dështuar?


Nuk ka kaluar shumë nga vrasja e mëngjesit të djeshëm, në Tiranë. Një krim në familje, për të cilin titujt ishin të njëjtë: “Vëllai vrau të vëllanë dhe më pas veten”.

Dhe nuk është çudi që nëpër rrugë – jo vetëm të kryeqytetit – të dëgjohen zëra të vrazhdë të rinjsh teksa përgatisin tranzicionin nga grindja në sherr fizik.

Të shumë-dëgjuarat fjali kërcënuese të të tilla rasteve kurrsesi s’mund të mungojnë: “E di ti kush jam unë?”, “E di çfarë të bëj?”… Një metodë e ndjekur shumë, por me rezultate pak.

Por çfarë shpjegimi sociologjik ka e gjithë kjo?

Entela Binjakut, studiuese e sociologjisë, thotë për Albanian Post se, për të kuptuar natyrën e sjelljes vetë-shkatërruese të disave, duhet të përqendrohemi te lidhja mes konfliktit dhe kulturës.

Konfliktin, Binjaku e përkufizon si një situatë në të cilin elementët e papajtueshëm ndërmjet dy apo më shumë palëve të përfshira, ushtrojnë forcë në drejtime të kundërta ose divergjente.

Ndaj dhe teza e saj është se “konflikti nuk mund të eliminohet ose injorohet”.

Por që duhet të gjenden e përpunohen “rrugë për njohjen e trajtimin e konfliktit, për të shmangur prirjen shkatërruese që përmban në vetvete”.

“Çka dimë është se të gjitha llojet e konflikteve ndodhin brenda një konteksti kulturor të caktuar, që i jep formë rrjedhës së tyre”, dallon ajo.

Dhe përmend sociologun e njohur Anthony Giddens, i cili thoshte se kultura ndikon në sjelljen konfliktuese dhe konflikti mund të kuptohet edhe si një sjellje kulturore.

Kështu, kultura – sipas sociologes – përcakton atë që njerëzit vlerësojnë dhe atë për çka ata janë të prirur të hyjnë në diskutime, sugjeron mënyrat e duhura të sjelljes në diskutime të veçanta dhe u jep formë niveleve te komunikimit.

“Kultura përcakton kuptimin e njerëzve për botën e tyre shoqërore, mënyrën se si klasifikohen njerëzit, si vlerësohen veprimet, se si ndahen përgjegjësitë e caktuara”, ravijëzon ajo.

Po ashtu ndikon mbi atë për të cilën luftojnë njerëzit dhe në mënyrën se si sillen. Edhe kundërvënia ose largimi nga konflikti janë qëndrime që përcaktohen po nga kultura, sipas saj.

Sakaq, motivi i radhës i shkrepjes së armës kundrejt një anëtari të familjes, mendohet të jetë prona.

Ashtu sikurse edhe në shumicën e herëve të tjera të vëllavrasjes.

Në këtë garë të paepur shqiptare mes jetës dhe pronës, sërishmi kryesoi kjo e fundit.

Dhe ligji do të duhet të jetë arbitri.

Më herët, për një ngjarje të ngjashme, avokati Gedeon Dudushi ka treguar për Albanian Post se ligji është “goxha i rëndë” për krimet në familje.

“Pjesa më e rëndë është se gjykata nuk e jep gjykimin e shkurtuar që do të ulte 1/3-ën e dënimit që të arrinte maksimumi në 35 vite burgim”.

Por për profesorin e kriminologjisë, Ervin Karamuço, ligji ka dështuar.

“Ligji për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare ka dështuar të mbrojë dhe parandalojë”, ka thënë ai asokohe për Albanian Post.

Përpos ligjit, edhe sistemi jo-efiçent gjyqësor.

Ky i fundit, sipas profesorit, nuk ka shmangur mjaftueshëm rastet e vetëgjyqësive.

“Problemet e çrregullimeve dhe sëmundjeve mendore nuk trajtohen siç duhet. Posedimi ilegal i armëve të zjarrit vijon të jetë i konsiderueshëm në popullsi”.

Karamuço ka mbrojtur fort tezën e vendosjes së standardeve të reja në këtë sferë. Sepse në të kundërt, rastet e vëllavrasjes s’do ndalen.

“Nëse nuk rregullohet sistemi i deterrencës institucionale me standarde dhe strategji bashkëkohore, e kemi të humbur luftën kundër tragjedive familjare”, paralajmëron ai.

Për të, metamorfoza e familjes si nocion tradicional, brenda një tranzicioni të gjatë problematikash shoqërore dhe institucionale, “ka shkaktuar një shpërfytyrim të elementëve shpirtëror, material, emocional dhe afektiv midis anëtarëve të saj”.

Sakaq, liston si shkaqe më frekuente të krimeve në familje: xhelozinë, pamjaftueshmërinë e mjeteve për jetesë, konsumin e alkoolit dhe drograve.

Gjithashtu edhe çështje të tjera të interesit material, si pronësia ose përkatësia pasurore.

Një tjetër ekspert i kriminalistikës, Artan Rexhepi, ka veçuar për Albanian Post mungesën e informacionit për këto raste.

Ose ashtu siç ai e quan, “informacion të cunguar”.

Prandaj dhe apelon për një menaxhim më të mirë të organeve ligjzbatuese dhe komunitetit.

“Duhet gjetur nëse ka referime në polici nga prokurori dhe se nga cila palë janë bërë ato”, veçon ai.

Po ashtu ngre pyetjet se: “Me çfarë ritmi kanë ecur? A ka pasur favorizim të njërës palë? Apo thjesht zvarritje?”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore