Kosova

Situata është “stabile, por ende e brishtë” në veri, vlerëson EULEX-i


Ilustrim

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), në një përgjigje për portalin në gjuhën serbe “KoSSev” të hënën, tha se përkundër që situata është më e qetë aktualisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, situata e sigurisë është ende e paqëndrueshme.

Pas tërheqjes së trupave të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) nga objekti i Komunës së Zveçanit, ku u stacionuan më 29 maj 2023 pas përshkallëzimit të tensioneve, edhe misioni i BE-së njoftoi se ndonëse patrullojnë rregullisht “para dhe rreth” objektit komunal, nuk kanë prezencë statike atje.

“EULEX-i monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës përmes patrullave mobile të zbulimit – përfshirë situatën e sigurisë para objekteve komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, njoftoi të hënën misioni i BE-së në vend.

KFOR-i njoftoi të dielën për largimin trupave nga objekti komunal në Zveçan pas ndryshimit të vlerësimit të sigurisë. Në një komunikatë për media u tha se situata në Komunën e Zveçanit është stabilizuar dhe sëkëndejmi, atje mbetet e pranishme vetëm Policia e Kosovës.

“Situata në Komunën e Zveçanit është stabilizuar. Si rezultat, njësitet nga Batalioni i Forcave Rezervë Operacionale të misionit KFOR më nuk do të jenë prezentë në ndërtesën e komunës. Por do të mbesin në zonë dhe do të kryejnë patrullime të rregullta për të siguruar një ambient të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale mes kundërshtimit të serbëve lokalë që pastaj shpërtheu në dhunë duke lënduar rëndë mbi 100 pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore