Shqipëria

Sistemi unik i pagesave, ‘katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e BE-së’


Banka e Shqipërisë e sheh Tregun Unik të Pagesave në Euro i njohur ndryshe si SEPA, katalizator për të forcuar integrimin financiar me vendet e Bashkimit Evropian.

Kështu është shprehur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ku thekson se pjesëmarrja në SEPA është e rëndësishme në shumë drejtime.

Së pari, sipas tij, ajo nxit ngritjen e një sistemi pagesash eficient dhe të besueshëm për vende të vogla si Shqipëria.

“Nëpërmjet standardizimit të pagesave ndërkufitare dhe përdorimit të një teknologjie të përparuar, bëhet i mundur zhvillimi i një tregu më bashkëkohor të pagesave, në përputhje me politikat evropiane. Së dyti, anëtarësimi në SEPA pritet të përmirësojë konkurrencën në tregun e pagesave me vlerë të vogël, si dhe transparencën dhe besueshmërinë e produkteve që i ofrohen publikut për pagesat ndërkufitare”.

Sejko theksoi se lehtësimi i kryerjes së pagesave ndërkufitare me Bashkimin Evropian pritet të nxisë edhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare me BE-në, partnerin tregtar kryesor të Shqipërisë.

“Me vendet e BE-së kryhen rreth 2/3 e tregtisë; janë destinacion për rreth 71% të eksporteve të mallrave tona; dhe janë origjina e më shumë se gjysmës së stokut të Investimeve të Huaja Direkte. Nga ana tjetër, pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA mbështet nxitjen e tregtisë ndërmjet vendeve të rajonit dhe aktivitetin ekonomik në tërësi”.

Ndër të tjera, ka ravijëzuar se Shqipëria ka përparuar dukshëm në përafrimin e legjislacionit të pagesave me atë evropian.

Vlerësimet e Bankës Botërore cilësojnë se Shqipëria është pothuajse gati për t’u bërë anëtare e SEPA-s.

“Shqipëria ka ndërmarrë veprime edhe për sa i përket transpozimit të së ashtuquajturës rregullore e SEPA-s. Kështu, në vitin 2021, Banka e Shqipërisë me qëllim përafrimin e këtyre standardeve në tregun shqiptar dhe kërkesat rregullatore të SEPA-s ka miratuar rregulloren 50/2021 “Për debitimin direkt”. Ndërkohë, krahas kësaj mase, me ndihmën e Bankës Botërore po hartojmë një projektrregullore për transaksionet në euro në SEPA, e cila synon të përmbushë të gjitha kërkesat për integrim, duke shënuar përmbylljen e masave të nevojshme për aplikimin në SEPA”.

Një projekt tjetër mjaft i rëndësishëm i lidhur me SEPA-n, thotë Sejko por dhe me tregun e brendshëm të pagesave, është ai i zbatimit të infrastrukturës për pagesat e shpejta.

SEPA i jep mundësi vendeve anëtare të realizojnë pagesa në euro – transferta krediti dhe debitim direkt ashtu si pagesat kombëtare – duke eliminuar diferencat mes pagesave kombëtare dhe atyre ndërkufitare dhe duke harmonizuar standardet dhe kushtet e funksionimit në të gjitha vendet pjesëmarrëse.

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në SEPA do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për rajonin, – si reduktimi i kostove të tregtisë, uljen e kostove të transfertave bankare, reduktimin e cash-it në ekonomi, duke i bërë pagesat elektronike më të thjeshta dhe më të lira, si edhe duke stimuluar njëkohësisht përfshirjen financiare dhe aksesin në financë.

Banka Botërore po mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor me asistencë teknike për të përmbushur kushtet e nevojshme për aplikimin dhe anëtarësimin eventual në Tregun Unik të Pagesave në Euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore