Biznes

Sipërmarrësit që lidhin shpirtëroren me profesionalen


Në zgjedhjen e një karriere ndikojnë shumë faktorë.

Nisin nga aftësitë personale, pritshmëritë e prindërve, arsimimi, qetësia.

Për Sally Murray, ishte më e drejtpërdrejtë. Ajo ndjeu një nxitje nga Zoti.

Në vitin 2018, ajo e la punën që kishte si fizioterapiste, zhvendosi familjen nga periferia e Londrës në Derbyshire dhe ngriti një dyqan akulloresh në fshatin turistik të çuditshëm Milford.

Murray, përpos ndarjes së kënaqësisë, angazhohet për ta shfrytëzuar biznesin e saj të vogël në ndihmë të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.

Dhe ky është një shkak që ajo ia atribuon besimit të saj të krishterë.

Për këtë qëllim, Just Ice, të cilën ajo e drejton me bashkëshortin e saj Gavin, aktualisht punëson dy të mbijetuar nga trafikimi.

Çifti, kudo dhe kurdo që e gjejnë mundësinë, kërkojnë furnitorë me të njëjtën kauzë.

Përzierja e besimit dhe punës nuk është asgjë e re. As nuk është një fenomen vetëm i krishterë.

Pozicionet e forta të besimit frymëzojnë një mori sipërmarrjesh në mbarë botën.

Megjithatë, kjo lëvizje e re si ajo e Murray-t po frymëzon një brez të ri besimtarësh për të gjetur lidhjet midis jetës shpirtërore dhe asaj profesionale.

Zëvendësdrejtoresha e Institutit të Etikës së Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, Rachael Saunders, ka treguar se ekziston një ndërthurje logjike midis të dyjave.

Sipas saj, themeluesit e kompanive ose njerëzit e emëruar në role të larta “reflektojnë natyrshëm” mbi ndryshimin që duan të bëjnë.

“Njerëzit për të cilët besimi është i rëndësishëm ka të ngjarë të shohin menjëherë se kontributi në shoqëri mund të jetë pjesë e kësaj, qoftë për shkak të besimit ose sepse ata e kanë parë komunitetin e tyre të besimit të luajë atë rol”, ka shtuar ajo.

Këtë lidhje e ka vënë në dukje edhe James Perry në rolin e tij si anëtar bordi në B Lab, një rrjet global kompanish.

“Jam i habitur vazhdimisht se sa njerëz takoj përmes B Lab që kanë një formë besimi ose jetë shpirtërore. Ajo përbën një pjesë të madhe të arsyes pse bëjnë atë që bëjnë”, ka treguar ai.

Kjo lidhje interesante mes besimit, sipërmarrjes dhe qëllimit social është subjekt i një raporti të fundit nga Qendra Jubilee, një organizatë bamirëse e krishterë.

Në raport, bizneset e bazuara në besim kanë përkrahur parimet tradicionale të etikës së biznesit.

Megjithatë, hulumtimi identifikon edhe një oreks në rritje për t’i kthyer mekanizmat e tregut drejt kauzës së drejtësisë sociale dhe kujdesit mjedisor.

Përveç ndjenjës së fuqishme të qëllimit dhe harmonisë së brendshme, disa sipërmarrës të drejtuar nga besimi kanë treguar se kanë gjetur një koherencë të jashtëzakonshme midis parimeve të tyre fetare dhe parimeve të biznesit të qëndrueshëm.

Por edhe pse biznesi modern mbetet kokëfortë laik, kjo nuk i ndalon pronarët të përpiqen të përfshijnë praktikat fetare në vendin e punës.

Kur Huib van Bockel la punën si drejtues i marketingut për Red Bull-in për të krijuar markën e tij të pijeve energjike, ai donte që sipërmarrja e tij e re të pasqyronte disa nga traditat budiste që e frymëzonin.

Meqë besimi është një ndjenjë personale, institucionalizimi i tij në kulturën e punës të një kompanie është i vështirë.

Profesori Michael Zigarelli ka eksploruar integrimin e besimit dhe biznesit në librin e tij “Kompanitë me pronësi të krishterë”.

Ndër praktikat që ai ka identifikuar midis organizatave që kërkojnë t’u përmbahen parimeve fetare janë punësimi i njerëzve me një pikëpamje të ngjashme, kodifikimi i pozicionit të besimit të themeluesit në një deklaratë zyrtare të misionit dhe kalimi i biznesit te pasardhësit me të njëjtat vlera të bazuara në besim.

Nga 50 kompanitë e profilizuara në librin e tij, shumica dërrmuese janë të drejtuara nga familja. Kurse shumica e pjesës së mbetur janë ose në pronësi të punonjësve ose të kontrolluara nga nja fondacion bamirësie.

Sakaq, ai ka zbuluar se pronësia private u ka dhënë bizneseve të bazuara në besim më shumë liri për të jetuar sipas besimeve të tyre.

Megjithatë, besimi fetar nuk është mburojë kundër realiteteve të ashpra të tregut.

Pasi ka duruar pandeminë, sipërmarrja e Murray-t tani përballet me inflacion të lartë dhe një dimër të gjatë.

Por ndjenja e saj mbetet po aq e fortë.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore