Lajme

Sipas BERZH-it, Kosova prin me uljen më të madhe ekonomike në rajon, shkak varësia nga importi


Ilustrim

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, së fundi, ka publikuar një hulumtim në të cilin parasheh ulje ekonomike në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Përditësimi i të dhënave të cilat janë bërë pas fillimit të luftës në Ukrainë, tregojnë se ekonomitë e këtyre vendeve do të pësojnë mesatarisht për 0.9% krahasuar me muajin nëntor të vitit të kaluar.

Sipas kësaj liste të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kosova do të pësojë uljen ekonomike më të madhe prej 4%, krahas shteteve të tjera.

Pastaj vjen Mali i Zi me 3.7%, Shqipëria dhe Serbia me 3.3%, Maqedonia e Veriut 3% dhe Bosnjë e Hercegovina do të ketë uljen më të vogël, në këtë periudhë me vetëm 2.3%.

Kjo tkurrje ekonomike është si rezultat i shtrenjtimit të çmimeve të artikujve strategjikë jetësorë, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike në Kosovë.

“Sidomos për shkak të rritjes së rrymës në nivel global, të rritjes së derivateve të naftës dhe gazit. Pastaj të rritjes së çmimeve te drithërat dhe bluarjes së drithërave”, ka treguar Jakup Bellaqa, ekspert i ekonomisë, për Albanian Post.

“Sigurisht si shkak i luftës Rusi – Ukrainë”, specifikon Bellaqa, duke rikujtuar se Ukraina konsiderohet hambar i Evropës në furnizim me drithëra.

“Diku rreth 13% e furnizimit të Evropës me drithëra vjen nga Ukraina, pastaj edhe nga Rusia, Rumania, Bullgaria si dhe Serbia”.

Faktin që Kosova prinë në këtë listë të uljes së bilancit ekonomik, Bellaqa e shpjegon me faktin që Kosova ka ekonomi importuese e jo prodhuese.

“Ne e marrim edhe nga këto vende të rajonit dhe këto vende kanë prodhim më shumë se e ne. Ne kemi prodhim më pak dhe importojmë pothuajse çdo produkt duke përfshirë këtu edhe lëndën e parë 70% deri 80%”.

Jakup Bellaqa, Ekspert i Ekonomisë

Lufta, sipas Bellaqës, ka ndërprerë zinxhirin furnizues “dhe ka ndikuar qe të rriten çmimet si dhe të rritet inflacioni sidomos në artikujt bazikë të shportës së konsumatorit ditor”.

Nëse lufta ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës vazhdon edhe më, çmimet do të ngritën edhe më tej, parasheh Bellaqa.

“Nëse ndalet lufta në këto dy vende sa më shpejtë edhe do të ulë çmimet edhe do të ndalet inflacioni, por nëse ndodhë e kundërta do të kemi Hiperinflacion dhe Stanacion”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore