Muzikë

Simfonia e shkaqeve që “stonuan” vdekjen e Mozart-it


Për dashamirësit e muzikës klasike, 5 dhjetori mund të jetë dita më e trishtë e vitit.

Në orën 12:55 të mëngjesit, 230 vjet më parë, Wolfgang Amadeus Mozart “klithi” frymën e fundit në agoninë e tij.

Ai u varros pa ceremoni në një varr të përbashkët – siç ishte zakoni i kohës – në varrezat e Shën Marksit, pak jashtë kufijve të qytetit të Vjenës.

Mozart ishte vetëm 35 vjeç.

Breza të tërë mjekësh kanë qenë të fiksuar për të zbuluar shkakun e vdekjes së parakohshme të Mozart-it.

Në numërimin e fundit, kishte më shumë se 136 diagnoza pas vdekjes së kompozitorit austriak.

Notë pas frymës

Gjatë muajve të fundit të jetës së tij, Wolfgang-i përfundoi partiturën për “Flautin Magjik”.

Ai kompozoi gjithashtu “Clarinet Concerto”, një kantatë masonike dhe disa kadenza të reja për disa nga koncertet e tij në piano.

Një javë pas vdekjes së Mozart-it, një gazetë berlineze (me seli në Berlin) raportoi një lajm të rremë se kompozitori ishte helmuar.

Në filmin biografik “Amadeus”, thuret ideja se kolegu dhe rivali i tij, Antonio Salieri, e ka vrarë kompozitorin.

Thashethemnajat shkuan deri aty sa u tha se në shtratin e vdekjes në maj 1825, Salieri pranoi krimin.

Mozart ndërsa kompozonte kantatën masonike, i tha gruas së tij se nuk ndihej mirë.

Në mesin e nëntorit të 1791-it, Mozart tërhoqi pretendimet se ishte helmuar dhe vijoi me Requiem-in e tij.

“Diagnozat” e para 

Mjeku personal i Mozart-it, Thomas Franz Closset, arriti në përfundimin se kompozitori vdiq nga ethet akute miliare.

Simptomat përfshinin një temperaturë të lartë dhe shpërthimin e gungave të vogla të kuqe që krijonin flluska në lëkurë.

Kunata e Mozart-it, Sophie Haibel, dha komentin më të detajuar të ditëve dhe orëve të tij të fundit.

Fatkeqësisht, ajo e dha këtë dëshmi rreth 33 vjet pas ngjarjes, kur kujtesa e saj mund të ketë qenë më pak e besueshme.

Gjatë dy javëve të fundit të jetës së tij, Mozart zhvilloi edemë të rëndë. Ai ankohej për dhimbje në të gjithë trupin, temperaturë dhe skuqje të një lloji.

Mbrëmjen para vdekjes së tij, më 4 dhjetor, ai ftoi disa miq në shtratin e tij për të recituar pjesë nga Requiem-i i tij.

Sophie këmbëngulte që Mozart-i mbeti i vetëdijshëm deri rreth dy orë para vdekjes së tij.

Përpjekjet moderne

Shumë diagnoza mjekësore moderne që shpjegojnë vdekjen e Mozartit përfshijnë tuberkulozin, helmimin me merkur, sifilizin, apo dështimin e veshkave.

Ndoshta më mbresëlënësja ishte një studim epidemiologjik retrospektiv i vitit 2009 i botuar në Annals of Internal Medicine.

Një ekip studiuesish të guximshëm nga Amsterdami, Vjena dhe Londra mblodhën raporte për të gjitha vdekjet e regjistruara në Vjenë midis dhjetorit 1791 dhe janarit 1792, si dhe periudhat përkatëse në 1790-1791 dhe 1792-1793.

Më pas ata studiuan modelet e vdekjes së 5 mijë e 11 të rriturve (3 mijë e 442 burra me moshë mesatare të vdekjes 45.5 vjeç dhe 1 mijë e 569 gra me moshë mesatare të vdekjes 54.5 vjeç).

Epidemiologët zbuluan një rritje të dukshme të vdekjeve të meshkujve të rinj.

Kjo, në javët që korrespondojnë me sëmundjen fatale të Mozart-it në krahasim me vitet e mëparshme dhe në vijim.

Gjithashtu të rëndësishme ishin raportet për një epidemi në Vjenë rreth kohës së vdekjes së Mozartit.

Kohë, kur shumë njerëz vdiqën nga e njëjta plejadë simptomash si ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore