Sport

Silva e këshillon Dybala-n të transferohet te Chelsea


Në kohët e fundit flitet për një interesim të Chelsea-t për ta transferuar mesfushorin argjentinas të Romës, Paulo Dybala-n.

Pjesë e kësaj teme ishte bërë sot (e diele, 9 korrik) pikërisht Dybala, bashkë me qendërmbrojtësin e Chelsea-t, Thiago Silva-n.

Këta dy u takuan në Silverstone, ku shumë yje të futbollit po e ndiqnin Çmimin e Madh të Britanisë në Formula 1.

“Kam parë Paulo Dybala-n këtu, flitet për një transferim të tij te Chelsea. Shpresoj që të ndodhë. Ai do të ishte një nënshkrim i madh për ne – do të më pëlqente”, theksoi braziliani.

“Bisedova me të dhe e kam pyetur nëse do të vijë, ai më është përgjigjur, por nuk mund të them se çfarë më ka thënë”, shtoi Silva.

Raportet në Itali këtë javë pohuan se Chelsea po punon për transferimin e argjentinasit, i cili shënoi 18 gola në sezonin e kaluar me Romën, që ishte viti i parë me ta.

Trajneri i Chelsea-t, Mauricio Pochettino, thuhet se është një fans i madh i bashkatdhetarit të tij, i cili mund ta ketë në dispozicion këtë verë.

Kjo për shkak se 29-vjeçari e ka një klauzolë shumë të ulët për t’u transferuar jashtë Italisë, që është rreth 15 milionë euro, ndërkohë për klubet në Itali klauzola është 20 milionë.

Trajneri i Romës, Jose Mourinho, u pyet për klauzolën dhe ai hodhi poshtë spekulimet e transferimit.

Mourinho tha: “Unë nuk di asgjë për kontratën e tij. Por padyshim që unë flas me Paulo-n si me të gjithë lojtarët e mi”.

Roma raportohet gjithashtu se po planifikon një ofertë të re për Dybala-n, e cila mund të shohë rritjen e pagës së argjentinasit.

Manchester United dhe Newcastle janë klubet që gjithashtu interesohen për ish-yllin e Juventus-it, por ende nuk ka ndonjë ofertë zyrtare nga ana e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore