
Në një video të vjetër të paraluftës në Kosovë që gjendet në Youtube, në odën e Jasharajve, Hamzë Jashari bashkë me Adem Jasharin kuvendojnë me një mysafir.
Qartazi i irrituar, Hamza gjykon argumentin e shqiptarëve të kohës që përdornin si arsyetim për mospërballje me armikun të kaluarën në nënshtrim.
Siç kuptohet nga videoja, atij i është bërë mjaft duke dëgjuar njerëz që ankohen se si paraardhësit janë fajtorë për gjendjen ku ndodhen shqiptarët.
“E thonë ‘valla s’kanë dashtë dikur ata t’partë, ishin konë të ligj, se s’ishim mbet ndër shkja (serbë) na’”, thotë Hamza duke tymosur duhan.
“A s’dashten ata a s’po dojmë na”, vazhdon.
“Hajde tash e bojmë një analizë…”, kërkon përfshirjen e të tjerëve në bisedë.
Për të dhe bashkëbiseduesit që pajtohen, projektimi i fajit në të kaluarën përbën faj në vetvete.
Hamza me fjalë të tjera, po shpjegonte atë që psiko-analistja britaniko-austriake, Anna Freud, e kishte sqaruar shkencërisht në vitin 1936, kur fliste për atë që më vonë do të njihej si “Blame-Shifting (ri-pozicionimi i fajit)”, kur dikush për të arsyetuar gabimet e veta ndërton një mekanizëm mbrojtës duke arsyetuar pozicionin jo si gabim personal, por si gjendje e pafajshme e diktuar nga gabimi i tjetrit.
Freud megjithatë sqaronte fenomenin te individi, Hamza te shoqëria. Terminologjia dallonte, por jo dhe diagnoza.
Heroi shqiptar do të mund të dëgjonte ri-pozicionim të fajit në të kaluarën me bollëk këtë të enjte, sikur të dëgjonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe partinë e tij Lëvizjen Vetëvendosje, kur flasin për Marrëveshjen e arritur me Serbinë.
Gjithçka do të ishte për mrekulli, sikur të mos bënin faj paraprakët, thotë Kurti.
E kaluara portretizohet si e paprekshme për kryeministrin, diktuese për të tashmen dhe e pamenduar për intervenim.
“Asociacionin duhet ta zbatojë sepse duhet, jo sepse dua”, thotë kryeministri duke iu robëruar veprimeve paraprake.
E kaluara, cilado qoftë ajo, edhe nëse përbën një akt tradhtie, siç dikur thoshte për nënshkrimin e Asociacionit, është detyrim i patejkalueshëm.
Jo vetëm Kurti, të gjithë pas tij në parti thonë se s’ka çfarë të bëhet. Se e kaluara jo veç që nuk ndryshon, por edhe determinon.
Megjithatë, ashtu siç është kuptuar tashmë, marrëveshja e fundit me Serbinë përbën diçka që shkon përtej asaj që është nënshkruar në të kaluarën.
Kurti thotë se Asociacioni është brenda marrëveshjes, por do jetë me siguresën e Gjykatës Kushtetuese çka e bën të pranueshëm për Kosovën.
Kaq do mjaftonte atëherë?
Por jo, Kosova është pajtuar në Bruksel edhe me një nen tjetër që prapë flet për vetë-meanxhimin e serbëve të Kosovës.
Nëse është gjithçka në rregull me Asociacionin me garanci kushtetuese, përse është dashur të futet edhe një nen që prapë merret me serbët e Kosovës? Këtë nuk e shpjegon dot akoma Kurti.
Nëse neni 7 është diçka më pak se marrëveshja e vitit 2015 pse duhet të jetë aty fare dhe nëse është diçka më shumë, atëherë përse u desh të shkohej përtej atij të vitit 2015?
Kurti nuk e sqaroi në Kuvend këtë shtim që – sipas tij – është më pak, por përkundër se është më pak u desh prapë të shtohej.
Kryeministri nuk po kuptohet, aq më pak do kuptohej nga Hamzë Jashari në odën e tij, i cili përçmonte të gjithë ata që i nënshtroheshin gjendjes duke fajësuar paraprakët.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com