Përballje

Si zhvillohet faza e radhës në Ligën e Evropës? Ja skuadrat që u kualifikuan


Mbrëmjen e së enjtes, ka përfunduar faza e grupeve në Ligën e Evropës, ku pas kësaj, tani do të zhvillohet faza me eliminim direkt.

16 skuadra kanë avancuar tutje për fazën tjetër të kësaj gare, kurse edhe tetë të tjera janë bashkuar nga Liga e Kampionëve.

Në vendet e para të Europa Leauge, janë kualifikuar skuadrat: Lyon, Monaco, Spartak Moskow, Eintracht Frankfurt, Galatasaray, Crvena Zvezda, Bayer Leverkusen e West Ham.

Mirëpo, këto klube nuk do të kenë punë menjëherë, për të zhvilluar ndeshjet e tyre eliminuese, pasi që ndeshjet e radhës, ato do t’i luajnë në mars të vitit të ardhshëm.

Kjo pasi që me formatin e ri të garave të UEFA-s, tetë ekipet që përfundojnë në vendet e dyta të grupeve në Ligën e Evropës, do të përballen fillimisht në raundin e 1/16-ve të finales së kësaj gare me skuadrat që përfunduan në vendet e treta të grupeve në Ligën e Kampionëve.

Pra, do të zhvillohen tetë takime në formë ‘play-off’-i mes skuadrave të Ligës së Evropës dhe Ligës së Kampionëve, e më pas tetë ekipet fituese do të vazhdojnë garën me ekipet e vendeve të para në grupet e Ligës së Evropës.

Këto 16 ekipe do të mësojnë kundërshtarët me short, i cili do të tërhiqet të hënën në ora 13:00 në Nyon të Zvicrës, së bashku me shortin e Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Konferencës.

Skuadrat që u kualifikuan nga vendet e treta të Ligës së Kampionëve janë: Atalanta, Barcelona, Dortmund, Leipzig, Porto, Sevilla, Sherif dhe Zenit.

Ndërsa në vendet e dyta në Ligën e Evropës përfunduan ekipet: Betis, Braga, Dinamo Zagreb, Lazio, Napoli, Olympiacos, Rangers dhe Real Sociedad.

Kujtojmë që ekipet nga Liga e Evropës do të vendosen në vazon e parë, të cilat do të përballen me ekipet e vendit të tretë nga Liga e Kampionëve, që janë të vendosura në vazon e dytë.

Kjo fazë e ‘play-off’-it do të zhvillohet me dy ndeshje (vajtje – ardhje), në të cilat takime, nuk mund të përballen ekipet që janë nga i njëjti shtet.

Kujtojmë që ndeshjet e para të kësaj faze do të zhvillohen më 17 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa ato të kthimit do të luhen një javë më vonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore