Lajme

Si votuan shtetet në KiE për Kosovën: 33 pro, 7 kundër dhe 5 abstenime


Keshilli i Evropes

Nga gjithsej 46 shtete sa votuan në Komitetin Ministror të Këshillit të Evropës për të marrë vendimin që t’ia përcjellin Asamblesë Parlamentare kërkesën për anëtarësim të Republikës së Kosovës, 33 shtetet, duke përfshirë edhe shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Sllovenia, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë votuar pro, derisa 12 të tjera kundër apo abstenim.

Sipas të dhënave që janë bërë publike Hungaria, Rumania, Qiproja, Spanja, Azerbajxhani, Gjeorgjia dhe Serbia votuan kundër, kurse Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Sllovakia, Moldavia dhe Ukraina abstenuan.

Ky rezultat tregon se me më shumë se 2/3 e votave kanë qenë pozitive për të kaluar Kosova këtë fazë të procesit të gjatë të anëtarësimit në KiE.

Fillimisht njoftimi për votimin pozitiv për Kosovën e dha ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila shkroi në Facebook se “vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë”.

Rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit tani do të kalojë përmes Asamblesë Parlamentare të KiE.

Gjithsesi, deri atje ka shumë punë dhe mund të marrë shumë kohë.

Para se të vije momenti i votimit në KiE, caktohen ekspertë për të përgatitur raportin për Kosovën.

Më pas raporti shqyrtohet nga dy komitetet të tjera.

Dhe në fund votohet nga Asambleja Parlamentare.

Nëse Asambleja voton pozitivisht, atëherë Kosova bëhet shtet anëtar.

Më shumë sesa proces teknik i përgatitjes, anëtarësimi në KiE është çështje e vullnetit politik të shteteve anëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore