Lajme

Si ta kalojë Kosova situatën e rëndë me energji elektrike? – Intervistë me Ethem Çekun, ish-ministër i Energjisë


Foto nga Albanian Post, Ethem Ceku

Çmimet do të rriten, reduktime do të ketë dhe dimri që po vjen s’do jetë aspak i lehtë.

Është ky parashikimi i ish-ministrit të Energjisë, Ethem Çeku, dhënë në një intervistë për Albanian Post.

Probleme Kosova ka pasur me energjinë elektrike qysh nga paslufta, pohon Çeku, prandaj situata e fundit është veç nuancë e re brenda telashes së vjetër.

Çeku nga përvoja e tij si ministër, ka parë se zgjidhje tjetër afatgjate në Kosovë s’mund të ketë, pos t’u hapet dera edhe investitorëve të rinj privatë.

Këta investitorë, do bënin atë që Kosova s’e bëri tash e sa vjet – “investimet kapitale në sektorin e energjisë”.

“Jemi në këtë situatë, sepse nuk patëm investime kapitale, edhe investimet që janë bërë kanë qenë investime sipërfaqësore jo investime të thella në sektorin e energjisë”, pohon ai për AP.

Si përmbledhje, për Çekun janë katër hapa që çojnë në zgjidhje të shpejtë, por edhe të përhershme të situatës me energji elektrike.

“Një, investime në Kosovën A. Dy, hapja e dyerve të kapitalit privat. Tre, bashkëpunimi me Shqipërinë dhe katër ndërtimi i një strategjie të përbashkët për investime në fushën e energjisë”.

Foto: DW.

Intervista e plotë e Ethem Çekut për Albanian Post: 

Albanian Post: Si e shihni situatën e fundit me energji elektrike në Kosovë?

Ethem Çeku: Në biznesin e Kosovës tek familjarët, tek zhvillimi i gjithmbarshëm i vendit është një situatë e vështirë jo vetëm në këtë ditë, por është një situatë e vështirë në shumë vite pas luftës, pas çlirimit e këndej është një situatë e vështirë me energji elektrike”.

Albanian Post: Pse konsideroni që Kosova tani është në këtë krizë të energjisë, apo lidhet me të kaluarën?

Ethem Çeku: Sepse vendi ynë nuk ka pasur investime kapitale në sektorin e energjisë sidomos në fushën e thëngjillit që pas luftës. Pas përfundimit të projektit Kosova C, pastaj Kosovës së Re, nuk është ndërtuar asnjë bllok i ri në fushën e energjisë nga thëngjilli. Energjia alternative, e cila po zhvillohet, sidomos energjia solare, nuk mund të jetë bartëse e furnizimit të rregullt me energji elektrike, sepse Kosova gjatë pikut kërkon 1100 KË ose 1200 KË energji elektrike.

Prandaj ne jemi në këtë situatë, sepse nuk patëm investime kapitale, edhe investimet që janë bërë kanë qenë investime sipërfaqësore, jo investime të thella.

Në sektorin e energjisë nuk u rehabilituan blloqet e Kosovës A, të cilët tash për tash e mbulojnë 35 për qind të konsumit të Kosovës dhe si rezultat tani e kemi një situatë tepër të vështirë me reduktime të cilat janë prezente jo vetëm këto ditë, por edhe para disa ditëve tjera kanë qenë reduktime dhe kam frikë se këto reduktime gjatë periudhës do të rriten për shkak të konsumit të madh të energjisë që bëhet në Kosovë.

Shumica e energjisë së Kosovës vjen nga termocentralet me qymyr në Obiliq. Foto: DW.

Albanian Post: Pamë se Shqipëria ndihmoi Kosoveën me energji, ju keni qenë ministër dhe e dini nga brenda, si funksionon bashkëpunimi me Shqipërinë?

Ethem Çeku: Me Shqipërinë ka qenë një bashkëpunim që nga pas lufta. Është një bashkëpunim i mirë. Është ndërtuar projekti i 400 kilovatëve që nga periudha e administratës ndërkombëtare. Ka filluar ndërtimi i atij projekti, ky bashkëpunim duhet të thellohet në vazhdimësi në mundësinë e bashkëpunimeve të përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë. Shqipëria ka hidro dhe Kosova ka energjinë termo dhe këto dy vende mund të bëjnë investime të përbashkëta, në veçanti në Kosovë mund të ndërtohet ndonjë bllok i përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, të cilët do të hyjnë në punë me furnizim të rregullt me energji elektrike.

Albanian Post: Cila është rruga dalëse nga situata aktuale?

Ethem Çeku: Mendoj që duhet t’iu hapim dyert investitorëve privatë, kapitalit privat në sektorin e energjisë alternative, në veçanti energjisë solare. Pastaj energjisë së erës duhet t’i hapen dyer. Pjesa tjetër është që ne duhet të edukojmë qytetarët tanë me efiçinencë të energjisë elektrike, ruajtjen e energjisë elektrike aq sa mundemi dhe aq sa ka mundësi dhe ajo që është më e rëndësishmja, duhet urgjentisht të përfundojnë rehabilitimet e blloqeve të Kosovës A, në veçanti dhe të përgatiten për rehabilitime të thella.

Të kryhet një analizë paraprake nga kompanitë e njohura që do të shikojnë se a mund të ketë investime të thella në blloqet e Kosovës A, sepse Kosova A po të rehabilitohet në mënyrë se si duhet me investime kapitale, do të thotë mund të arrijë deri në prodhimin e 800 megavat me energji elektrike.

Mënyrë më të shpejtë për ta zgjedhur problemin e energjisë në Kosovë është pjesa e investimeve në Kosovën A, hapja e dyerve të kapitalit privat, bashkëpunimi me Shqipërinë dhe ndërtimi i një strategjie të përbashkët për investimet në fushën e energjisë.

Albanian Post: A pret qe te rritet çmimi i rrymës ashtu siç ka kërkuar KESCO?

Ethem Çeku: Po sigurisht reduktime do të ketë, çmimet e rrymës sigurt do të rriten, unë pres një dimër jo të lehtë për qytetarët në fushën e energjisë elektrike për shkak të rrethana ndikuese çfare janë edhe në Evropë për shkak të krizave edhe për shkak të mungesës së energjisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore