Lajme

Si synon ta ndryshojë fytyrën e Izraelit qeveria e re e Netanyahu-t?


Qeveria e re e Benjamin Netanyahu-t do të jetë qeveria më e djathtë dhe më fetare në historinë e Izraelit.

Kjo qeveri, e cila përfshin partinë e tij Likud së bashku me partitë ultra-ortodokse dhe të djathtën ekstreme, planifikon një legjislacion gjithëpërfshirës që do ta ndryshojë Izraelin.

Nga të drejtat e grave deri te konflikti me palestinezët, aleatët e Netanyahu-t kanë një vizion të qartë për vendin dhe e kanë detyruar atë të adoptojë pjesë të mëdha të tij.

Kështu të paktën sipas marrëveshjeve të koalicionit me partitë e ndryshme.

Aktualisht, Netanyahu është në gjyq për tre raste të veçanta korrupsioni.

Nuk është rastësi që një qëllim kryesor është dobësimi i gjyqësorit, veçanërisht duke miratuar të ashtuquajturën klauzolë mbizotëruese.

Kjo do të ndryshonte rrënjësisht balancën e pushtetit midis degëve gjyqësore dhe legjislative, duke lejuar Knesset të miratojë ligje që bien në kundërshtim me 12 Ligjet Themelore thuajse kushtetuese të vendit dhe të eliminojnë aftësinë e Gjykatës së Lartë për t’i anuluar ato.

Një prioritet tjetër për aleatët e ekstremit të djathtë të Netanyahu-t është që ta bëjnë më të vështirë për grupet e të drejtave të bëjnë peticion në gjykatë veprimeve të qeverisë.

Po ashtu Likud dëshiron të ndryshojë përbërjen e gjykatës, e cila është pothuajse e ndarë në mënyrë të barabartë midis liberalëve dhe konservatorëve.

Likud dhe e djathta ekstreme mund të marrin atë që duan duke ulur moshën e pensionit të detyrueshëm të gjyqtarëve dhe duke i dhënë qeverisë më shumë kontroll mbi emërimin e gjyqtarëve.

Sakaq, kryeministri në largim Yair Lapid ka akuzuar qeverinë e ardhshme për “zvarritje të vendit në një spirale të rrezikshme antidemokratike” dhe minimin e sundimit të ligjit “për arsye personale”.

Ndërkohë, një nga koncesionet më të diskutueshme të Netanyahu-t në bisedimet e gjata të koalicionit ka qenë pëlqimi i tij për t’i dhënë Bezalel Smotrich, kreut të partisë së ekstremit të djathtë Zionizmi Fetar, kontrollin mbi Administratën Civile.

Që nga fillimi i pushtimit në vitin 1967, Administrata Civile ka funksionuar nën Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë.

Smotrich do të bëhet Ministër i Financave, por tani ai do të ketë gjithashtu kontroll mbi një nga levat më të ndjeshme të qeverisë.

Ai mbështet aneksimin e plotë të vendbanimeve dhe ka thënë se Autoriteti Palestinez është një barrë për Izraelin ndërsa Hamasi është “një pasuri”.

Por Smotrich nuk do të jetë i vetmi ekstremist i djathtë me një rol të paprecedentë në pushtimin ushtarak të Izraelit. Në bisedimet e koalicionit, partneri i tij Itamar Ben-Gvir mori Ministrinë e Sigurisë Publike, e cila tashmë do të quhet Ministria e Sigurisë Kombëtare.

Ky portofol tani do të kontrollojë Policinë Kufitare në Bregun Perëndimor. Netanyahu, i cili vetëm dy vjet më parë u zotua se Ben-Gvir nuk do të ishte anëtar i kabinetit në qeverinë e tij, ra dakord.

Ndërkaq, ai i ka thënë Knesset-it se status quo-ja mbi fenë dhe shtetin do të ruhet pavarësisht varësisë së tij nga partitë ultra-ortodokse dhe lëshimit të madh që ai ka bërë tashmë duke rënë dakord për të rritur fondet publike për institucionet Haredi që nuk japin mësim thelbësor me lëndë të tilla si matematika dhe anglishtja.

Kjo do t’i shtonte buxhetit miliarda në vit.

Teksa mbetet e pasigurt se sa nga kërkesat do të përmbushen, është e qartë se përpjekjet për të integruar komunitetin ultra-ortodoks në rrjedhën kryesore izraelite do të ngadalësohen.

Partitë ultra-ortodokse do të insistojnë në miratimin më në fund të një ligji të diskutueshëm për të përjashtuar burrat Haredi nga shërbimi ushtarak, duke i dhënë fund një beteje disa dekadash.

Rezultati me siguri do të zemërojë shumë izraelitë laikë, duke përfshirë votuesit e Likud, të cilët janë të detyruar me ligj të dërgojnë djemtë dhe vajzat e tyre në ushtri në moshën 18-vjeçare.

Një tjetër vendim i diskutueshëm është emërimi i politikanit anti-LGBT Avi Maoz nga Netanyahu si kreu i programeve të jashtme në Ministrinë e Arsimit.

Çka do t’i japë atij fuqinë për të spastruar programe të tilla si ato që promovojnë të drejtat e grave, të drejtat LGBTQ dhe një judaizëm më tolerant dhe t’i zëvendësojë ato me përmbajtje fetare.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore