Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë Laureta Ulaj, ka dhënë detaje për Albanian Post për dy vrasjet e së mërkurës në Prishtinë.
Rreth rastit të vdekjes së një gruaje si pasojë e një grabitjeje në rrugën “Dalip Alshiqi” në kryeqytet, Ulaj ka theksuar se Prokuroria është duke u angazhuar për ta ndriçuar rastin.
“Prokurori i Shtetit në koordinim me njësitë relevante janë të angazhuar në ndriçimin e të gjitha rrethanave të këtij rasti. Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, tha Ulaj.
Ndërsa, për vrasjen tjetër ku dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, dhëndri ka goditur me thikë vjehrrin, Ulaj ka treguar se i dyshuari është identifikuar, por ende ndodhet në arrati.
“Viktima është dërguar në IML, me urdhër të prokurorit, ndërkaq rasti është iniciuar “Vrasje”. Veprimet hetimore po vazhdojnë të ndërmerren karshi këtij rasti dhe personi i dyshuar është identifikuar, mirëpo aktualisht ndodhet në arrati”, potencoi ajo.
Ndryshe, brenda tri ditëve në Kosovë janë vrarë tre persona. Vitin e kaluar, Policia ka arritur të sekuestrojnë mbi 1 mijë e 200 armë ilegale brenda një viti.
Armët ilegale, sipas ekspertëve të sigurisë, shiten nga persona privatë, e që pastaj paraqet problem për të ditur se kujt i takon arma në rastet kur ndodh një vrasje.
A mbajnë shumë armë – si dikur – qytetarët në Kosovë?