Aplikacione

Si ndikojnë mediat sociale te zakonet e të ngrënit?


Rreth e rrotull, njerëzit përballen me një shumësi zgjedhjesh të të ngrënit.

Mirëpo, vendimet që merren për dietën ditore nuk janë edhe aq të lira sa duken.

Fshihet edhe diçka tjetër pas urisë. Zgjedhjet mund të ndikohen edhe nga çfarë shihet në mediat sociale, tregon agjencia e lajmeve “BBC”.

Nëpër to, ndeshen pafund foto të ushqimeve të paraqitura në mënyrë të përsosur dhe tejet të shijshme.

Paçka se janë aromat dhe shijet ato që japin efektin e fuqishëm te dëshirat e njerëzve për të ngrënë, edhe postimet e ushqimeve të gatuara mes avullit mund të kenë pjesën e vet.

“Ka prova që, nëse shihni foto të ushqimit, ai stimulim vizual mund t’ju shtyjë të ndjeni dëshirën për të ngrënë”, ka thënë Suzanne Higgs, profesoreshë në Universitetin e Birmingham-it, në Mbretërinë e Bashkuar.

Paçka se nëse njerëzit e ndjekin ose jo këtë dëshirë ndikohen nga shumë faktorë të tjerë.

Megjithatë, mediat sociale mund të ndryshojnë edhe marrëdhënien me ushqimin, duke i bërë njerëzit të mendojmë ndryshe për atë që konsumojnë.

“Nëse të gjithë miqtë tuaj në mediat sociale po postojnë foto duke konsumuar ushqim të shpejtë, do të vendoset një normë që njerëzit të hanë ushqim të shpejtë”, ka thënë Higgs.

Madje, hulumtimet sugjerojnë se ka më shumë gjasa që njerëzit të angazhohen me foto të ushqimit të shpejtë, sipas Ethan Pancer, profesor i marketingut në Kanada.

Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë për yndyrat e ngopura, pasi i bëjnë njerëzit të ndihen më mirë duke çliruar dopaminën dhe duke stimuluar qendrat e kënaqësisë në tru.

Njerëzit janë biologjikisht të përgatitur për të kërkuar ushqim me kalori të dendur, një aftësi që i ka ndihmuar paraardhësit të mbijetonin kur kërkonin ushqim.

“Në reklama, ju shihni ushqim të pashëndetshëm në mjediset sociale, ndërsa ushqimi i shëndetshëm shpesh fokusohet më shumë në vlerat ushqyese. Nëse do të shihnit miqtë duke ngrënë sallatë, nuk do të dukej aq e besueshme”, ka thënë Tina Tessitore, profesoreshë e marketingut në Francë.

Prandaj dhe ekspertët shqetësohen gjithnjë e më shumë se përmbajtja e ushqimit në mediat sociale i bënë njerëzit të mendojmë ndryshe për ushqimin, shkruan “BBC”.

Sipas Pancer, algoritmet e mediave sociale promovojnë përmbajtje me të cilën përdoruesit angazhohen më shumë.

“Dhe me më shumë ekspozim ndaj ushqimeve të pashëndetshme, perceptimet e konsumatorëve për çka konsiderohen zakone normale të të ngrënit mund të anojnë drejt të pashëndetshmeve”, ka vijuar ai.

Mirëpo, nuk janë veç reklamat nga industria ushqimore që janë përgjegjëse, të gjithë janë të aftë të ndikojnë te njerëzit në internet.

“Kur mendojmë për reklamat, mendojmë për industrinë që përpiqet të shtyjë një produkt, por ndikuesit mund të punojnë në të njëjtën mënyrë”, ka dalluar Patricia Cavazos, profesoreshë e psikiatrisë në Universitetin e Washington-it.

Për të, “përmbajtja në mediat sociale nga bashkëmoshatarët është shumë ndikuese, për sa i përket ndikimit për atë që mendojmë se është e rëndësishme dhe tërheqëse dhe për normat sociale se si të sillemi”.

Cavazo ka theksuar se kjo nis të bëhet e rrezikshme nëse përmbajtja që njerëzit shohin përjetëson një imazh të pashëndetshëm të trupit.

“Disa prej nesh janë më pak të ndikuar nga përmbajtja, por për të tjerët që tashmë janë në rrezik dhe mund të kenë simptoma të çrregullimeve të të ngrënit, të kesh më shumë përmbajtje që normalizon modelet e pashëndetshme të të ngrënit mund të nxisë dikë të shkojë drejt sjelljeve jo të shëndetshme”, ka thënë ajo.

Paçka këtyre, ende nuk është e qartë se si përkthehet e gjitha kjo në ndryshimet e sjelljeve të njerëzve në përditshmëri.

“Kërkimet sugjerojnë që, kur marrim një vendim se çfarë dhe sa të hamë, ne kombinojmë informacione të ndryshme. Ndikimet momentale bashkohen në mënyra që nuk i kuptojmë shumë mirë”, ka veçuar Higgs

Ndërkaq, hulumtimet kanë zbuluar se këto ndikime mund të përfshijnë nivelin e njohurive ushqyese, idealet e trupit, aftësitë e gatimit dhe koston.

Kurse Melissa Atkinson, pedagoge psikologjie, ka treguar se sasia e ndikimit që media sociale ka te njerëzit ndryshon sipas individit.

“Ka shumë dallime individuale për sa i përket mënyrës se si ne reagojmë ndaj imazheve të mediave sociale, për sa i përket proceseve biologjike dhe psikologjike”, ka sqaruar ajo.

E pavarësisht të gjithave, situata është shumë larg nga të qenit në gjendje që njerëzit të shtyhen drejt dietave më të shëndetshme në postime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore