Shëndet

Si ndikojnë komplimentet në mirëqenien njerëzore?


Në kuptimin logjik kur flitet për komplimentet me të nënkuptohet një shprehje vlerësimi, respekti, dashurie ose admirimi ndaj një personi tjetër.

Dhe ndjenja e vlerësimit është një nga nevojat themelore njerëzore, shpjegon sociologu Ferdi Kamberi.

Më fjalë të tjera, komplimentet përdoren shpeshherë gjatë komunikimit në përpjekje për të pasur ose mbajtur një marrëdhënie të shëndosh shoqërore me një person tjetër.

Në një intervistë me shkrim për Albanian Post, Kamberi thotë se komplimentet luajnë një rol me rendësi në mënyrën se si ne e shohim veten.

“Ka të bëjë me shikimin e vetes në pasqyrë e cila ka tri komponente kryesore: ne imagjinojmë vetën se si na perceptojnë të tjerët, ne imagjinojmë gjykimin e tyre për ne; dhe ne ndiejmë diçka nga ky gjykim i imagjinuar, si krenaria, gëzimi ose sikleti”.

“Pra, zakonisht njerëzit janë të prirur që të merren edhe me gjykimin e të tjerëve dhe përmes gjykimeve të tilla, krijojnë një krahasim social. Kjo lë të kuptohet se gjatë komplimentimit nga të tjerët, ata janë të prirur që krahasimet t’i bëjnë me të tjerët që janë pak a shumë të ngjashëm, por jo edhe me ata që janë më lartë se ta”.

Megjithatë, sipas tij, komplimentet shpeshherë në natyrën e tyre edhe mund të keqkuptohen dhe të marrin konotacione negative.

“Kjo ndodhë zakonisht gjatë komunikimit, atëherë kur ne komunikojmë me të tjerët qoftë përmes komunikimit verbal apo jo verbal. Ne mendojmë në fakt të themi diçka dhe në praktikë themi krejtësisht diçka tjetër dhe kjo mund të çoi deri te keqkuptimet, dualizmat apo konfuzionet në mes të njerëzve, madje edhe te konfliktet verbale apo fizike”, sqaron sociologu.

Ndaj, komplimentet përveç aspektit pozitiv që përçojnë, ato padyshim se mund të krijojnë situata të pa lakmueshme ku pala tjetër ka keqkuptuar ose nuk është kuptuar mirë gjatë procesit të komunikimit.

“Një kategori e njerëzve janë më esktrovert, ata janë më social, më dinamik dhe energjik. Janë më të hapur dhe komplimentin e pranojnë shumë thjeshtë dhe gëzohen nga komplimentet e tilla, si: në punë, në dukje, në arritjen e sukseseve, në shkollim apo në arritjet tjera të karrierës”.

Kategoria tjetër e cila ka të bëjë me introvertët janë pak më kompleksiv dhe shpeshherë janë të ndrojtur ndaj komplimenteve.

“Ata i keqkuptojnë ato apo thjeshtë nuk dëshirojnë që të jenë pjesë e komplimentimit, sepse ose kanë përjetuar ndonjë përvojë jo të mirë ose nuk ndihen mirë. Ata më shumë i kushtojnë rëndësi vetës së tyre të brendshme sesa asaj të jashtme”, ka thënë mes tjerash ai.

Ai shpjegon se ndonjëherë njerëzit edhe mund të përdorin një strategji të quajtur ndryshe ‘manipulim komplimenti’ për të arritur deri te qëllimet e caktuara, të cilat jo çdo herë mund të jenë të mira.

“Andaj, në këto raste edhe një pjesë e njerëzve të cilët kanë pasur përvoja jo të mira në të kaluarën ose hezitojnë të pranojnë komplimentin si diçka pozitive ose ndihen në siklet gjatë komplimenteve të marra”.

“Prandaj, mund të themi se komplimentet të cilat reflektojnë në pozitivitet dhe fuqizim të raporteve ndër shoqërore, ato duhet të jenë të mirë se ardhura, dhe e kundërta komplimentet të cilat mund të përdoren si ‘strategji manipulimi’ duhet shmangur ose mos pranuar, sepse na bëjnë të ndjehemi jo mirë, plotë me emocione, nën stres, inferior apo edhe në shok”, përfundon Kamberi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore