Lajme

“Si i shpëtova policisë së Putinit? Preva byzylykun elektronik”


Maria Alyokhina

Maria “Masha” Alyokhina, aktiviste politike ruse, i shpëtoi arrestimit duke prerë fillimisht byzylykun elektronik me të cilin autoritetet ruse monitoronin lëvizjen e saj.

Ajo e preu atë, në shenjë proteste ndaj pushtimit të përgjakshëm rus të Ukrainës. Banesa ku ajo jetonte ishte e rrethuar nga policia ruse, pasaporta i ishte konfiskuar nga autoritetet shtetërore dhe ajo nuk donte të largohej ilegalisht nga Rusia.

Për disa ditë u fsheh në fshatrat bjelloruse, për t’u transferuar më pas në Lituani, në mënyrë që Islanda t’i siguronte asaj një strehim të përkohshëm.

Sot, Alyokhin është një veterane e kolektivit të “Pussy Riot” – një grup feministesh që u bë i njohur për muzikën provokuese që prodhonte – një veterane e burgjeve ruse, e represionit rus, një grua që në Katedralen e Krishtit Shpëtimtar në Moskë, e veshur me një kapuç të ndezur, iu lut Virgjëreshës Mari të merrte Putinin.

Për shkak të asaj shfaqjeje, ajo dhe anëtarja tjetër e grupit, Nadezhda Tolokonjikova kaluan dy vjet në kazermat komode të kolonive të burgjeve ruse, të cilat Alyokhina, sot i quan: “gjellë me erëzën e Federatës Ruse”.

Në një intervistë për gazetën e përditshme kroate “Jutarnji list”, përcjell Albanian Post, Aljohina tregon tmerrin që ka kaluar.

Maria, ju lutem na shpjegoni se çfarë po ndodh në jetën tuaj tani? Jeni liruar së fundmi nga burgu? Pse ishit atje dhe ku jeni tani?

Aktualisht jam në Islandë, mendoj se do të qëndroj këtu të paktën edhe një javë. Islandezët na ofruan të bënim prova këtu për shfaqjen tonë të radhës. Kështu që unë isha në arrest shtëpiak në Rusi, edhe gjatë hetimeve formale. Kjo është hera e gjashtë që arrestohem nga autoritetet ruse. U detyrova të mbaja një byzylyk elektronik që monitoronte lëvizjet e mia për një vit e gjysmë të plotë.

E keni prerë atë byzylyk elektronik, duke protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës?

Pikërisht. Pastaj, për mrekulli, nuk më mbyllën menjëherë, por më vendosën një byzylyk tjetër elektronik. Kështu që tani kam dy. Njëra që e preva dhe kjo tjetra, që do të më shërbejë për shfaqjet e ardhshme. Unë jam një koleksioniste byzylykësh elektronik!

Si arritët të arratiseshit nga Rusia në këto rrethana?

Ishte shumë e vështirë, jo për shkak të byzylykut elektronik, por sepse më hoqën pasaportën, dhe thjesht nuk doja të ikja ilegalisht dhe të kërkoja azil. Po kërkoja mënyra ligjore për t’u larguar nga vendi im.

Fillimisht u largova nga një apartament që ishte në një mjedis të vështirë policie. Më duhej të ndërroja rrobat, shkova në kufi me dy tentime, por nuk më lanë. Në përpjekjen e tretë ia dola, por ndërkohë kalova një javë në dy fshatra bjelloruse dhe një qytet ku isha fshehur.

Kishit frikë?

Dëgjoni, kjo është Bjellorusia. Lukashenko është diktatori i vetëm evropian. Ata vrasin njerëz, njerëzit nën regjimin e tij thjesht zhduken. Në sistemin ligjor ata e njohin dënimin me vdekje dhe nuk ngurrojnë ta zbatojnë atë ndaj njerëzve që kundërshtojnë regjimin.

Bjellorusia është një ferr i vërtetë në tokë dhe Rusia po shkon në atë drejtim.

Maria Alyokhina
A mendoni se, në këtë moment, Bjellorusia është më e keqe për jetën se Rusia?

Për sa i përket represionit të brendshëm, patjetër. Lukashenko është mishërimi i së keqes. Për një periudhë të konsiderueshme të sundimit të tij, Putini i tregoi Perëndimit një fytyrë të larë, gjë që nuk mund të thuhet për Lukashenkon.

Ku është pjesa tjetër e “Pussy Riot”? A u larguan të gjithë nga Rusia? Ku është, për shembull, Nadezhda Tolokonjikova?

Nadezhda jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që nga viti 2016. Ajo u kërcënua me një hetim të rëndë penal dhe, më duket, ishte çështje jete a vdekjeje për të. Disa nga anëtarët tanë ikën në Tbilisi, Gjeorgji.

Megjithatë, ato u arratisën vitin e kaluar. Ishte ose – burgim i përjetshëm, ose arratisje.

Një vajzë është ende në Moskë. Është e vështirë për mua të parashikoj se çfarë mund të ndodhë. Gjithçka po ndryshon kaq shpejt dhe këto ndryshime po prekin edhe grupin tonë. Unë, për shembull, nuk e kam idenë se ku do të jem muajin tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore