Lajme

Si e korruptoi sistemin ministrja Nagavci dhe diplomoi jashtë rregullave në Universitetin e Prishtinës


Me statutin e Universitetit të Prishtinës, i hartuar në përputhje me rregullat e sistemit të Bolonjës, studimet në çfarëdo niveli zgjasin dyfishi i vetëve të parapara për studim.

Nëse studioni Bachelor dhe studimet e rregullta zgjasin tri vjet, atëherë keni afat t’i përfundoni të gjitha provimet dhe të diplomoni brenda gjashtë vjetësh.

Kurse nëse jeni Mastër dhe studimet e rregullta zgjasin dy vjet, atëherë studimet duhet të përfundohen brenda 4 vjetësh.

Statuti parasheh në një nen te veçantë, se maksimalisht ky afat mund të zgjatet edhe për një/dy vit/vjet, nëse studenti arsyeton vonesën – qoftë ndonjë sëmundje që ia ka pamundësuar diplomimin, apo ndonjë arsye tjetër valide.

Ministrja aktuale e Arsimit, Arbërie Nagavci, marrë për bazë statutin e universitetit, del të ketë kryer në formë jo të rregullt studimet, pasi në nivelin Mastër ka bërë plotë 10 vjet për të diplomuar, në vend se të arrinte diplomimin maksimum brenda 4/5 vjetësh.

Sipas diplomës së publikuar të Nagavcit, ajo u regjistruar për studimet Master në vitin akademik 2009/10 dhe studimet i mbaroi me 5 prill 2019.

Përtej notës minimale 6.46, Nagavcit i ka marrë një dekadë për të përfunduar diku 20 provime.

Diploma e Ministres

Statuti

Sipas statutit të universitetit të Prishtinës, i miratuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Arsimin e Lartë, përcaktohet qartë se si studenti e humbë statusin e tij kur kalon dyfishi i kohës së paraparë për studime.

Saktësisht neni 150, pika 1.4, saktëson se Studenti i rregullt humb statusin “Kur nuk i ka përfunduar studimet në periudhën e dyfishtë të kohëzgjatjes së studimeve”.

Arsye të tjera për të humbur statusin e studentit janë edhe kur studenti “vendos të largohet nga studimet”, “kur i ka përfunduar studimet”, dhe “kur dështon të regjistrohet në vitin akademik”.

Gjithsesi, bëhen disa përjashtime.

Statuti, në nenin e njëjtë, pika dy, parasheh që “studenti mund të kërkojë një herë që t’i vazhdohet kohëzgjatja e studimeve për një apo dy vite”.

Dhe, “vendimin e merr këshilli i njësisë akademike”.

“Në rast se merret vendim pozitiv studenti do ta ketë sërish statusin e studentit të rregullt”.

Gjithashtu, në disa raste zbatohen rregulla të posaçme, për student që kanë arritje të larta në fusha të caktuara.

“Për të arriturat e veçanta në fushën e sportit, vërtetuar me status amator apo profesional në nivel rajonal apo më lart; Për të arriturat e veçanta si krijues artistik i njohur, vërtetuar me reagimin relevant të mediave dhe konfirmuar nga Këshilli i Fakultetit të Arteve”, thotë statuti.

Një tjetër rast kur lejohen përjashtime është kur bëhet fjalë për “individët me aftësi të kufizuar fizike, duke përfshirë edhe aftësitë e kufizuara të të paritë dhe të dëgjuarit, apo mendore, vërtetuar me certifikatë të mjekut”.

Sic dihet, ministrja Nagavci nuk ka të arritura as në fushën e sportit e as në atë të artit dhe gjithashtu nuk dihet të jetë deklaruar ndonjëherë për të se është person me nevoja të veçanta.

Nagavci ende nuk është deklaruar rreth diplomimit të saj të vonuar dhe si arriti ta korruptojë sistemin e të diplomojë jashtë rregullave.

Deklarim nuk kanë dhënë as nga Universiteti i Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore