Lajme

Si e bllokoi Polonia dhe aleatët e saj lindorë importin e drithërave ukrainase


Në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, një tjetër betejë e grurit është gati të shpërthejë.

Një përplasje e re që rrezikon bllokimin e sasive të mëdha të drithërave në vendin e pushtuar nga ushtria e Kremlinit, me pasoja dramatike për zonat më të varfra të botës.

Por kjo gjithashtu rrezikon të krijojë një përçarje të paprecedentë midis Ukrainës dhe Polonisë, pra shtetit që deri më tani ka shpenzuar më shumë përpjekje me partnerët e BE-së për t’i dhënë mbështetje ekonomike, humanitare dhe ushtarake fqinjëve të saj.

Për javë të tëra, fermerët polakë kanë protestuar sepse rritja e fluksit të drithit në vend ka rritur stoqet dhe ka ulur çmimet.

Një pakënaqësi që javët e fundit ka çuar në dorëheqjen e ministrit të Bujqësisë Henryk Kowalczyk.

Qeveria e udhëhequr nga PiS e Mateusz Morawiecki, e cila ka njësinë më të madhe elektorale në zonat rurale, ka vendosur të përmbushë kërkesat e tyre me një vendim drastik: Varshava ka bllokuar importin e grurit dhe produkteve të tjera deri më 30 qershor të produkteve ushqimore nga Ukraina, përfshirë sheqerin, frutat, perimet, qumështin dhe vezën.

Hungaria dhe Sllovakia kanë marrë masa të ngjashme, të cilat së shpejti mund të merren edhe nga Bullgaria dhe Rumania.

Spektri i një bllokimi total të eksporteve të grurit ukrainas nga toka dhe nga lumi, përmes vendeve të Bashkimit Evropian që përbëjnë të ashtuquajturat “korridoret e solidaritetit”, po kthehet në një mundësi për Rusinë, e cila u tregua menjëherë e gatshme për të kapur mundësi për një shantazh të ri.

Marrëveshja që lejon eksportin e grurit ukrainas nga tre porte në Detin e Zi, e arritur falë ndërmjetësimit të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, skadon saktësisht pas një muaji, më 18 maj dhe Kremlini tashmë ka bërë të ditur se perspektivat për një rinovim “nuk janë të shkëlqyera”.

Ditët e fundit, ndër të tjera, Moska po bllokon 50 anije në Detin e Zi që synojnë të nxjerrin grurin ukrainas jashtë Bosforit.

Rusia dëshiron të përdorë levën e marrëveshjes, duke përfituar edhe nga përplasja e brendshme brenda BE-së, për të siguruar që Bashkimi Evropian të eliminojë kufizimet për eksportet e drithërave dhe plehrave nga Moska.

Bllokada e vendosur nga tre vendet e Vishegradit shkaktoi menjëherë alarm në Kiev, por mbi të gjitha në Bruksel, ku dje u mblodhën ekspertët e Komitetit të Bujqësisë.

Sepse, paralajmëron Komisioni, “ekziston një marrëveshje e tregtisë së lirë dhe nuk është e mundur të futen masa të njëanshme”.

Megjithatë, ekspertët kanë pranuar se në fakt ka probleme logjistike që pengojnë grurin ukrainas që arrin në vendet kufitare të BE-së të eksportohet në shtetet e tjera anëtare.

Dhe ky “efekt gyp” po sjell pasoja shumë të rënda për fermerët vendas: në vitin 2022 Ukraina eksportoi 13 miliardë euro produkte bujqësore në BE, pra 6 miliardë më shumë se një vit më parë, falë edhe eliminimit të detyrimeve.

Që nga fillimi i konfliktit, 17 milionë tonë produkte agro-ushqimore janë eksportuar në rrugë tokësore nga Ukraina, ku destinacioni kryesor është Polonia.

Regjimi pa taksa skadon në qershor dhe Komisioni tashmë ka propozuar zgjatjen e tij edhe për një vit, por qeveritë e Polonisë, Hungarisë, Bullgarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë kanë kërkuar rivendosjen e tarifave.

Ministri i Bujqësisë së Ukrainës, Mykola Solsky, ka nisur një turne për të diskutuar këtë çështje me qeveritë e vendeve fqinje: dje ishte në Poloni dhe në ditët në vijim do të jetë në Rumani dhe Sllovaki.

Paralelisht, Komisioni po studion kundërlëvizjet. Në mars, Brukseli kishte akorduar 56 milionë euro nga rezerva e krizës e CAP për të ndihmuar Poloninë, Bullgarinë dhe Rumaninë dhe tani po flitet për një kontribut të ri financiar prej 75 milionë eurosh për dëmshpërblimin e fermerëve të prekur.

Ministrat e 27 vendeve do ta diskutojnë të martën më 25 prill në Këshillin e Bujqësisë që do të mbahet në Luksemburg.

Marrë dhe përshtatur nga “La Stampa” për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore