Shqipëria

Shumica e shqiptarëve ideologjikisht të majtë, Rama e Berisha në ekstreme ndërsa partia ‘nuk tradhtohet”


Një pyetje e kahershme ka qenë epiqendër e debateve të shumta në Shqipëri: Çfarë ideologjie politike kanë shqiptarët?

Më së shumti, kjo pyetje lidhet edhe me faktin e të shkuarës komuniste të vendit dhe periudhës së re demokratike, e cila ka parë shumë shpesh lëkundje të mëdha midis poleve ideologjike në Shqipëri.

Përgjigje kësaj pyetjeje i ka dhënë një sondazh i ndërmarrë nga “Euronews Albania”, ku ka rezultuar se 51.1% e shqiptarëve, identifikohen ideologjikisht si të majtë. Nga ana tjetër, 37.5% rezultojnë të kenë pikëpamje të djathta.

Në terma më konkretë, nëse merret parasysh edhe një mespol qendror, si të majtë do të identifikohen 36.9% e qytetarëve. Në 29 pikë të përqindjes do të ishin të djathtë, teksa të qendrës, 22.7%.

Mirëpo këto të dytët, në shumicë të gjerë, anojnë më shumë për nga e majta.

Vetë partitë politike kryesore në vend (së bashku me liderët e tyre e të identifikuara me figurën e tyre), perceptohen në publik më së shumti si të qendërzuara në ekstremet politike.

Për shembull, Partia Socialiste shihet si ekstremisht e majtë në masën më të madhe të të anketuarve. Tetë nga dhjetë persona të pyetur, e shohin pikërisht kështu atë. Madje, si parti ideologjikisht më pranë qendrës apo sferës së djathtë, e shohin vetëm 8% e të pyeturve.

E njëjta gjë ndodh edhe me perceptimin që qytetarët kanë për Edi Ramën, liderin socialist. 57.2% mendojnë se ai është ekstremisht i majtë dhe vetëm 8% e japin si me pikëmaje nga qëndrore deri në të djathta.

Në rastin e Partisë Demokratike, sërish ndodh i njëjti fenomen, por i pasqyruar nga kahu tjetër.

Janë 55.9% e qytetarëve, të cilët mendojnë se demokratët janë ekstremisht të djathtë, me vetëm 9% që e shohin si më pranë qendrës apo të majtës.

Shifrat përputhen kur krahasimi bëhet me Sali Berishën, pasi ai rezulton i perceptuar si politikan me ideologji ekstremisht të djathtë në 59% të masës. I qendrës apo i majtë, shihet vetëm nga 8% e të pyeturve.

Mirëpo këtu futet në lojë një tjetër aspekt shumë interesant, i lidhet me figurën e ish-kreut demokrat, Lulzim Basha.

Ky i fundit, shihet në shumicë si ekstremisht i djathtë, por vetëm nga 38% e njerëzve. Më tej, ai shihet si i djathtë, por animi bëhet më i madh kur vjen puna tek pikëpamja e spektrit të qendrës. Bashën e shohin si me pikëpamje të qendrës politike rreth 20% e të pyeturve.

Lëvizja Socialiste për Integrim, e deklaruar vetë si ideologjikisht e qendrës, shihet pikërisht ashtu në masën më të madhe, me mbetjet më të shumta si parti e krahut të majtë.

Por, sa i përket ekstreme, më shumë persona e shohin atë si ekstrem të djathtë se sa ekstrem të majtë.

Mbi figurën e Ilir Metës, është po e njëjta pamje me atë të partisë që ai dikur drejtonte e së shpejti pritet ta marrë sërish në dorë, pas përmbylljes së mandatit presidencial më 24 korrik 2022.

Sa i përket besnikërisë ndaj partive, shqiptarët e kanë të vështirë “ta tradhtojnë” fuqinë politike që votojnë.

72.8% deklaruan se kanë votuar të njëjtën parti në të gjitha zgjedhjet. Edhe brenda familjes, vihet re një besnikëri e qasjeve politike, pasi është e njëjta shifër për votimin e partisë së njëjtë brenda familjes.

Perceptimi i gjerë mbi votimin është i njëjtë edhe kur shqiptarët pyetën për të tjetër.

52.5% mendojnë se çfarëdo të ndodhë, qytetarët sërish do të votojnë partinë e tyre me vetëm 19.8% kundër këtij pohimi dhe 23.3% neutralë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore