Shqipëria

“Shumë Evropë, e gjitha Shqipëri”, motivi estetik i Samitit BE-BP


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka zbuluar motivin që do jetë imazhi zyrtar mikpritës i Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të organizohet të martën e 6 dhjetorit.

“Me kënaqësinë e vendit mikpritës për herë të parë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike, me respektin për ne që të ardhmen e shohim në familjen e madhe europiane, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan ai në median sociale “Facebook”.

Ndryshe nga qilimi i mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, kësaj radhe ngjyra blu që përfaqëson fushën e flamurit e Bashkimit Evropian nuk shkrihet me folklorin shqiptar.

Duke qenë në thelb një samit i udhëheqësve evropianë në kryeqytetin shqiptar, me të ftuar nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, ngjyrat evropiane okupojnë të gjithë qilimin – shumë Evropë.

Por, në praktikë ngjarja historike i rakordohet gjithmonë motiveve të krenarisë që mbart Tirana zyrtare për organizimin e kësaj ngjarjeje – pas lojërave me ngjyrat mbetet e gjitha Shqipëri.

Çfarë dihet deri tani?

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se mbajtja e samitit në Tiranë, flet për ndryshime madhore gjeopolitike të BE-së.

“Pritshmëritë për samitin janë të dyfishta. Së pari, riafirmimi i një angazhimi të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimi i hapave pozitivë në të gjitha proceset përkatëse të integrimit evropian të vendeve të rajonit”.

Sipas Xhaçkës pritet forcimi i bashkëpunimit midis dy rajoneve në fusha si siguria dhe politika e jashtme.

Kujtojmë që, 6 dhjetori do të jetë ditë pushimi zyrtar.

Kështu ka vendosur qeveria shqiptare, për shkak të masave të sigurisë që janë marrë për ditën kur do të zhvillohet samiti.

Mbrëmjen e 25 nëntorit, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi se në bazë të hapave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sigurt të samitit, nuk mund të kishte një tubim përballë Kryeministrisë.

Kjo, si pjesë e vendosjes së një perimetri sigurie dhe bllokimi të akseve rrugore në atë zonë.

Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, samiti i 6 dhjetorit, është një mesazh i qartë kundër Vladimir Putin-it, Alexander Vuçiç-it dhe Edi Ramës.

Sipas tij, bashkësia evropiane po i tregon Moskës se Shqipëria, është territor i vendeve perëndimore dhe shtetet e tjera, nuk mund të kenë ambicie gjeostrategjike.

Ndërsa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Samiti i 6 dhjetorit e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane.

”Ky samit e kthen Tiranën në kryeqendrën evropiane. E unë dua sa më shumë marrëdhënie të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”.

Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të takimit mbi 1 mijë e 500 forca të rendit do të jenë në terren për të garantuar sigurinë e samitit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore